SPORT, 26 Maj 2023, 18:33

Totti zbulon me apo pa dashje të ardhmen e Jose Mourinhos

Totti zbulon me apo pa dashje të ardhmen e Jose Mourinhos

Legjenda e Romës, Francesco Totti beson se Jose Mourinho dhe klubi kanë vendosur tashmë nëse do të vazhdojnë së bashku në sezonin 2023-24.

Roma po përgatitet për finalen e Ligës së Evropës kundër Sevillas, finalen e dytë radhazi evropiane nën drejtimin e Special One.

“Shpresoj se Roma mund të fitojë, është një finale kështu që gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi Totti.

“Nuk do të ishte një sezon i keq nëse Roma humbet sepse ka arritur në finale që është ajo që ka rëndësi. Pastaj, sigurisht, fitorja do të ishte një rezultat i rëndësishëm”.

Mourinho është nën kontratë me Romën deri në qershor 2024, por burime të shumta në Itali sugjerojnë se strategu do të largohet në fund të sezonit.

“Ky është futbolli, është zgjedhja e tij dhe mendoj se ai dhe klubi tashmë kanë vendosur, do të bëjnë një njoftim pas finales së Ligës së Evropës. Nuk e di se çfarë ka zgjedhur Mourinho, por shpresoj që ai të qëndrojë”, ka shtuar më tej ai.

Totti, një fitues i Kupës së Botës në vitin 2006, lavdëroi gjithashtu pronarin e Romës, Dan Friedkin, megjithëse disa tifozë janë të pakënaqur që amerikani nuk e bën zërin e tij të dëgjohet sa duhet.