SPORT, 7 Korrik 2026, 20:29

Spektakël i çmendur! Argjentina përmbys Egjiptin me tre gola dhe siguron çerekfinalen

Spektakël i çmendur! Argjentina përmbys Egjiptin me tre gola

Argjentina ka siguruar një vend në çerekfinale, pasi kampionët në fuqi të botës përmbysën në mënyrë spektakolare Egjiptin me rezultatin 3-2, në një sfidë që do të mbahet mend gjatë për emocionet dhe kthesat e saj dramatike.

Takimi nisi me shumë pasaktësi nga të dyja skuadrat, por ishte Egjipti ai që goditi i pari. Pa u mbushur çerek ore lojë, Ibrahim realizoi me kokë pas një krosi nga krahu i djathtë, duke kaluar “Faraonët” në avantazh.

Vetëm pesë minuta më vonë, Tagliafico u rrëzua në zonë pas një ndërhyrjeje të një mbrojtësi kundërshtar dhe arbitri akordoi menjëherë penallti. Lionel Messi mori përsipër ekzekutimin, por u ndal nga portieri egjiptian Shobeir, një gabim që dukej se do t’i kushtonte shtrenjtë Argjentinës.

Pas këtij momenti, kampionët e botës shtuan presionin dhe krijuan raste të njëpasnjëshme. Fillimisht Mac Allister, e më pas Messi iu afruan golit të barazimit, por portieri Shobeir dhe shtylla i mohuan festën. Në minutën e 39-të, Alvarez pati një tjetër mundësi të artë, por gardiani egjiptian reagoi sërish në mënyrë spektakolare.

Edhe pjesa e dytë nisi në mënyrën më të keqe për Argjentinën. Egjipti u tregua i rrezikshëm në kundërsulm dhe, pasi iu anulua një gol, Ziko realizoi në minutën e 67-të për ta çuar rezultatin në 2-0, duke i dhënë një tjetër goditje kampionëve të botës.

Megjithatë, Argjentina nuk u dorëzua. Kur kishin mbetur vetëm 10 minuta nga koha e rregullt, Romero shënoi me kokë për të rihapur sfidën. Vetëm katër minuta më pas, Messi gjeti më në fund rrjetën për rezultatin 2-2, duke ngritur në këmbë stadiumin dhe duke dëshmuar edhe një herë karakterin e kësaj skuadre.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Argjentina goditi në kundërsulm. Fernandez realizoi golin e fitores për rezultatin 3-2, duke vulosur një përmbysje të jashtëzakonshme dhe duke dërguar kampionët në fuqi të botës në çerekfinale pas një ndeshjeje spektakolare.