SPORT, 6 Korrik 2026, 11:44

Nuk luajti asnjë minutë, por e mbylli natën në spital, lojtari anglez pësoi lëndim të pazakontë gjatë festës së golit

Nuk luajti asnjë minutë, por e mbylli natën në spital,

Anglia festoi një fitore historike 3-2 ndaj Meksikës dhe siguroi kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Botës, por mbrëmja u mbyll me shqetësim për Jordan Henderson.

Mesfushori 36-vjeçar nuk u aktivizua në fushë, por u bë protagonist fillimisht pasi u ndëshkua me karton të verdhë si zëvendësues, pas një përplasjeje pranë vijës anësore gjatë nxehjes.

Megjithatë, incidenti më i rëndë ndodhi pas përfundimit të ndeshjes. Teksa po festonte me bashkëlojtarët, Henderson u rrëzua mbi një tabelë reklamuese dhe pësoi një lëndim të dyshuar në kyçin e dorës.

Mesfushori mori ndihmën e parë në fushë, iu vendos oksigjen dhe më pas u largua me barelë drejt spitalit për ekzaminime të mëtejshme.

Pas ndeshjes, trajneri Thomas Tuchel konfirmoi se Henderson ishte dërguar në spital.

“Jordan e lëndoi kyçin e dorës. Thjesht nuk i përshtatet kësaj mbrëmjeje fakti që Jordani nuk është me ne”.

“Nuk e di procedurën. Mjeku më tha se ai ndodhet në spital”, deklaroi Tuchel.

Edhe Jude Bellingham dhe Harry Kane komentuan situatën e bashkëlojtarit të tyre.

“Ka një problem të vogël”, u shpreh Bellingham.

“Hendo thjesht u rrëzua atje. Besoj se është mirë. Ka të bëjë me krahun e tij”, tha Kane.

Ende nuk ka një përditësim zyrtar nga stafi mjekësor i Anglisë, por ekziston frika se Henderson mund të humbasë ndeshjen çerekfinale ndaj Norvegjisë, madje edhe pjesën e mbetur të Kupës së Botës.