SPORT, 16 Shtator 2024, 17:06

Sherr shqiptaro-maqedonas/ Konflikt mes lojtarëve në ndeshjen Gostivari-Vardar, përplasja pas barazimit të miqve

Sherr shqiptaro-maqedonas/ Konflikt mes lojtarëve në ndeshjen

Asgjë nuk është e lehtë në një vend ku jetojnë dy etni. Një rast i tillë është shteti me emrin Maqedonia e Veriut, dikur thjesht Maqedoni, dhe ku maqedonasit e shqiptarët ndodh edhe që përplasen. Liga e Parë e futbollit të këtij shteti u trondit nga acarimi mes lojtarëve të të dyja skuadrave në sfidën Gostivari-Vardar, me vendasit kryesisht shqiptarë, që ishin përballë ekipit më të lavdishëm maqedonas, por që prej vitesh është në krizë.

Skuadra nga Gostivari kaloi e para në epërsi, ndërsa miqtë barazuan në sekondat e fundit të sfidës e ndoshta kjo ishte një nga arsyet e acarimit. Një përplasje masive ndodhi pranë vijës së mesit të fushës, pranë stolave të dy ekipeve, dhe u desh ndërhyrja e policisë që gjithçka të vihej nën kontroll.

Dëmtime fizike të lojtarëve nuk pati. Gostivari është në vendin e pestë, në një kampionat ku po dominojnë Shkëndija e Tetovës, Rabotnicki dhe Struga, ndërsa Vardari vazhdon të jetë larg lavdisë së dikurshme, pasi ndodhet në vendin e fundit.