TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Blerjet e reja të Milanit, Interit dhe Juventusit kanë ardhur mes pritshmërive të mëdha dhe në fillim kanë pasur vështirësi për të gjetur hapësië. Kohët e fundit, megjithatë, kanë shënuar gola vendimtarë dhe kanë ngjitur shkallët në hierarkitë e trajnerëve të tyre dhe tani është e pashmangshme që të tre të ëndërrojnë një fund sezoni si protagonistë. Disa dyshime kanë pasur tifozët e Interit, Milanit dhe Juventusit. Plotësisht të justifikuara, të paktën deri disa javë më parë.
Sepse Andi Diuf, Kristofer Nkunku dhe Xhonatan David e kishin nisur aventurën e tyre në Serie A pa treguar cilësitë e mëdha që kishin shfaqur në përvojat e mëparshme, cilësi që kishin bindur drejtuesit e klubeve të investonin shuma të rëndësishme për kartonin dhe/ose pagën e tyre. Me kalimin e muajve, megjithatë, tre goditjet e mëdha të klubeve kryesore po fitojnë një rol të rëndësishëm, jo sepse klubet po ushtrojnë presion që ata të valorizohen, por sepse në fushë tani japin më shumë se shokët e skuadrës.
Stërvitje pas stërvitjeje, stol pas stoli, Diuf, Nkunku dhe David e kanë kuptuar çfarë kërkon Serie A për të shpërthyer… dhe tani duan ta tregojnë deri në fund potencialin e tyre. Jo për t’u kthyer sërish në stol, por për të festuar si titullarë fitore të rëndësishme me skuadrat e tyre.
“PAGESA E MADHE” – Le ta nisim me Diuf, i ardhur në merkato verore nga Lens për 20 milionë euro plus 5 milionë bonus. Interi kishte tentuar të merrte Manu Koné nga Roma për të përforcuar mesfushën, por familja “Friedkin” kishte refuzuar largimin e mesfushorit francez. Kështu, Marotta, Ausilio dhe Baçin e drejtuan vëmendjen te 22-vjeçari i lindur në “Neuilly-sur-Seine”, pas një sezoni shumë të mirë në Ligue 1. Ai nuk ishte (dhe nuk është) një lojtar “i kompletuar” si Kone, titullar i Francës së Deshampit, ku Diuf nuk është thirrur kurrë. Megjithatë, javët e fundit Andi ka bërë hapa përpara. Goli në Kupën e Italisë në fitoren 5-1 kundër Venecias në 1/8 finale ishte një paralajmërim. Sinjali i parë i rëndësishëm erdhi në fillim të dhjetorit, pas shumë stërvitjesh në “Pinetina” dhe pak minutash në kampionat, më pas erdhën goli i 2-0 ndaj Dortmundit në Champions League dhe ai vendimtar për kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë në fitoren 2- 1 ndaj Torinos. Mesfusha e Interit mbetet një repart shumë i mbushur dhe cilësor. Edhe pse Çalhanoglu ka pasur disa probleme fizike, rikthimi në formë i Zielinskit, cilësia e Susiç, përvoja e Mkhitariani dhe prania e Barelës e bëjnë të vështirë gjetjen e hapësirës. Por Diuf po i fiton minutat me paraqitje solide, tani që ka pasur mundësinë të luajë nga minuta e parë dhe jo vetëm si zëvendësues. Nuk ka ende “gradat” e titullarit të Interit, por po punon për t’i fituar. Ndoshta sezonin e ardhshëm, pas një 2025-26 të rëndësishëm dhe me ndonjë trofe në vitrinë si protagonist. Një natë si ajo e Dortmundit, me golin e 2-0 në minutat shtesë, nuk do ta harrojë kurrë, por nuk dëshiron që të mbetet një episod i izoluar.
“TULLUMBACE” PËR DJALIN – Edhe Nkunku e pati të vështirë fillimin te Milani. Dyshja sulmuese titullare e Alegrit ishte Leao-Pulisiç dhe ai, pas një parasezoni të zhvilluar me ekipin rezervë të Çelsit, kishte ardhur me përgatitje të pamjaftueshme. Në rotacione kishte përfunduar edhe pas Gimenez, ndërsa një dëmtim me kombëtaren e vështirësoi më shumë rikthimin e tij. Jo fillimi ideal… Në 11 ndeshjet e para në kampionat, zero gola. Gëzimi i vetëm personal në Kupën e Italisë, në fund të shtatorit kundër Leçes. Shumë pak. Në fund të dhjetorit vjen kthesa, me dopietën në kampionat kundër Veronës. Një rilindje për të dhe për Milanin, që vinte nga humbja në gjysmëfinalen e Superkupës italiane. Që nga ajo ndeshje, Nkunku ka shënuar 5 gola në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Ka përfituar nga kushtet jo perfekte fizike të Leaos dhe Pulisiç, ka dhënë paraqitje bindëse dhe ka larguar dyshimet mbi të ardhmen e tij te Milani. Me vepra dhe me fjalë, ka refuzuar ofertat nga Turqia dhe nuk ka pasur asnjë dyshim për të ardhmen, edhe kur përfolja e ardhjes së Matetas në janar mund t’i ulte hapësirat. Sot është pika fikse e repartit ofensiv, lojtari që mposhti Bolonjën dhe i lejoi Milanit të mbetet -5 nga Interi kryesues. Kristoferi po shijon momentin dhe shpreson të fryjë edhe shumë tullumbace të tjera për të bërë të lumtur djalin e tij, që i pëlqen ta shohë duke festuar kështu.
PARAMETËR ZERO LUKSOZ – Dhe pastaj është Xhonatan David, parametri zero më i kërkuar i merkatos së kaluar verore. Juventusi e siguroi me një kontratë deri në vitin 2030, me 6 milionë euro neto në sezon plus 2 milionë bonus. Kanadezi vinte nga 109 gola në 232 ndeshje me Lilën dhe natyrisht e pati të vështirë të përshtatej në një realitet shumë ndryshe nga përvojat e mëparshme (më parë kishte luajtur edhe te Genti). Situatën e ndërlikoi edhe gara treshe për fanellën e qendërsulmuesit titullar me Vlahoviçin dhe Opendan. Goli në javën e parë, në fitoren 2-0 kundër Parmës, ndoshta i krijoi iluzionin se përshtatja do të ishte e lehtë. Por Tudori e uli shpejt në stol. Pavarësisht dëmtimit serioz të Vlahoviç dhe ardhjes së Spaletit në stol, ai pati vështirësi për të gjetur veten. Nuk i dëgjoi kritikat dhe u përqendrua te puna. Dy golat në Champions League kundër Bodo Glimt dhe Pafos ishin sinjale të rëndësishme, por kthesa e vërtetë erdhi nga 6 janari me 4 gola në 5 ndeshjet e fundit të Serie A dhe po aq fitore për Juventusin. Sot, edhe pse ka zgjedhur fanellën me numrin 30, ndihet numri 9 titullar i Juventusit dhe nuk dëshiron më të rrëshqasë poshtë në hierarki.