TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria do të luajë në muajin mars dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe gjithmonë, me shpresën që të fitohet e para ndaj Polonisë, në mënyrë që e dyta të jetë finale ose në të kundërt do të jetë vetëm një ndeshje miqësore, me zhgënjimin që nuk shkuam në Botëror. Kuqezinjtë luajnë fillimisht në Varshavë dhe një fitore e mundshme, do ta afronte shumë skuadrën tonë me Botërorin, teksa në finale do të jetë fituesi i çiftit Ukrainë-Suedi.
Nëse Ukraina fiton, finalja do të zhvillohet në Spanjë e nëse arrin të fitojë Suedia, ata do të jenë pritës të finales së madhe dhe natyrisht që Shqipërinë e pret rrugëtim i vështirë, por i mbushur me emocion e motivim për të tentuar historinë. Shumë nga futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë po kalojnë moment të mirë me skuadrat e tyre e normalisht ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe trajnerin Silvinjo, të cilit i shtohen alternativat për të zgjedhur formacionin ideal që do të zbresë në fushë në muajin mars.
Polonia është një skuadër e vlerësuar shumë më shumë se Shqipëria sa i përket vlerës në treg, megjithatë shpesh heër futbolli ka treguar se vlera e lojtarëve është vetëm një shifër dhe në fushë ka vendosur pasioni dhe dëshira për të fituar ndeshjen. Këtë, e tregon edhe formacioni i Shqipërisë, pasi nëse shohim formacionin me lojtarët më të shtrenjtë që ne kemi, do të kishim një formacion të cilit Silvinjo nuk i ka besuar asnjëherë dhe shumë protagonistë, do të ishin në stol.
Kështu, me rreshtimin 4-2-3-1, Shqipëria do të kishte në portë Strakoshën, i ndihmuar në të djathtë nga Hysaj e Mitaj në të majtë. Në qendër do të ishte Gjimshiti dhe Ismajli për të mbyllur prapavijën, megjithëse Ismajli nuk ka qenë i preferuar i Silvinjos në sfidat e fundit. Risia më e madhe pritet që të jetë ne mesfushë, ku Berisha e Asllani do të ishin para mbrojtjes. Në rolin e organizatorit, do të kishte një fanellë titullari për Mirlind Dakun, i cili do të ndihmonte treshen e sulmit me Bajramin në të djathtë, Uzunin në të majtë e Brojën në qendër të sulmit.
THOMAS STRAKOSHA-Gardiani kuqezi ëhstë titullar i padiskutueshëm si me AEK-un në Greqi, ashtu edhe me Kombëtaren. Silvinjo e ka të preferuar në formacion dhe shpesh herë i është dhënë fanella e titullarit edhe në miqësore e në raste të rralla ka qëndruar jashtë. Sipas “transfermarkt”, Strakosha vlerësohet me 2.5 milionë euro që është edhe portieri më i shtrenjtë në Kombëtare.
ELSEID HYSAJ- Mbrojtësi shkodran megjithëse te Lacio nuk po merr minuta, në Kombëtare ka qenë protagonist dhe shpesh herë e ka aktivizuar si tiutullar Silvinjo. Edhe në formacion , është Hysaj mbrojtësi i djathtë me vlerën më të lartë, që shkon 1.5 milionë euro.
ARDIAN ISMAJLI-Mbrojtësi i Torinos është një nga protagonistët e Shqipërisë, por në kualifikuese, trajneri Silvinjo ka preferuar që të aktivizojë Ajetin në qendër, teksa edhe ky i fundit ka bërë paraqitje mjaft të mira duke ndihmuar jo pak. Sa i përket vlerës, Ismajli është një nga më të shtrenjtët, me kartonin që shkon në 6 milionë euro.
BERAT GJIMSHITI-Kapiteni i Kombëtares është një nga lojtarët që nuk luan nga formacioni titullar, veç rasteve kur është i dëmtuar ose i pezulluar me kartonë. Vlera në treg e Gjimshitit arrin në 5 milionë euro dhe është ndër lojtarët me vlerën më të lartë në këtë repart.
MARIO MITAJ- Pas Ismajlit, Mitaj është mbrojtësi me vlerën më të lartë te Shqipëria. Mbrojtësi i Al Itihad, është i padiskutueshëm në të majtë të mbrojtjes, teksa edhe në formacionin më të shtrenjtë, ai zë një vend pasi vlera në treg arrin në 5.5 milionë euro.
KRISTJAN ASLLANI-Mesfushori i Beshiktashit, është një nga lojtarët me më shumë ndeshje te skuadra aktuale e Shqipërisë dhe shihet potencialisht si një nga lojtarët që mund të thyejë rekordin e Hysajt. Mesfushori i qendrës vlerësohet me 13 milionë euro në treg dhe është aktualisht futbollisti më i shtrenjtë i Shqipërisë.
MEDON BERISHA- Në Europianin e shkuar, Berisha ishte një nga risitë e Silvinjos e madje mori edhe minuta duke u aktivizuar në Gjermani. Por, në kualifikueset e Botërorit nuk ka luajtur, megjithëse është një nga lojtarët më të shtrenjtë, me vlerën që shkon 6 milionë euro.
NEDIM BAJRAMI- Bajrami nuk po kalon moment të mirë me Rejnxhërsin, por në Kombëtare ka pasur gjithmonë një vend të rëndësishëm në formacion. “Transfermarkt” e rreshton Bajramin në të djathtë të sulmit, teksa vlera e tij arrin në 2.5 milionë euro, megjithëse te Shqipëria ai ka luajtur si mesfushor ose “uinger” i majtë.
MYRTO UZUNI- Sulmuesi i Austin nuk ka qenë një nga të preferuarit e trajnerit Silvinjo dhe madje ëhstë lënë jashtë edhe në Europian. Megjithatë, së fundmi ka nisur të zërë vend në formacion e njëkohësisht eshtë edhe nga lojtarët më të shtrenjtë pasi vlera e tij arrin në 5 milionë euro duke zënë pozicion si sulmues i majtë.
MIRLIND DAKU-Megjithëse pozicioni i tij është sulmues, “Transfermarkt” e rreshton në formacionin më të shtrenjtë të Shqipërisë duke i dhënë një vend pas sulmuesit. Daku nuk është preferuar shpesh nga Silvinjo, por ka vlerën në treg 10 milionë euro dhe është një nga më të shtrenjtit te Shqipëria.
ARMANDO BROJA- I konsideruar gjithmonë si një nga sulmuesit më të mirë të historisë, Broja ende nuk e ka shfaqur komplet potencialin e tij te Shqipëria, normalisht i kushtëzuar shpesh herë nga dëmtimet. Broja është aktivizuar si sulmues i djathtë megjithëse pozicioni i tij natyral është pykë dhe sulmuesi më i shtrenjtë i Shqipërisë.
