SPORT, 25 Janar 2026, 21:42

Polemika pas fitores së Juves ndaj Napolit për një penallti, Konte: Shpresojmë të ketë ndershmëri, e vështirë të tolerosh me VAR (VIDEO)

Polemika pas fitores së Juves ndaj Napolit për një penallti,

Juventusi ka mundur Napolin me shifrat 3-0 në ndeshjen e Serisë A, por si gjithmonë pas përballjeve mes dy skuadrave nuk kanë munguar polemikat.

Shkak këtë radhë është bërë një kontakt në zonë mes Hojlund dhe Bremer, me një “përqafim” të mbrojtësit ndërsa sulmuesi po tentonte të shfrytëzonte një harkim para portës bardhezi. Rezultati ishte 1-0 dhe një penallti në ato momente mund të ndryshonte fatin e ndeshjes, ndaj napolitanët protestuan ashpër te gjyqtari i cili la lojën të vijonte.

VIDEO

Pas ndeshjes, trajneri Antonio Konte ka theksuar se shpresonte që gjithçka të ishte bërë me ndershmëri dhe pa dashje.

“Nuk e kam parë. Unë i thashë gjyqtarit Mariani që na ka drejtuar ndaj Veronës se dy herë është thirrur nga VAR dhe ka ndryshuar vendimin e tij. Janë situata fushe, po flasim shumë dhe nuk është mirë kështu. Shpresojmë që të ketë gjithmonë ndershmëri nga ana e atij që sheh dhe që drejton ndeshjet, e shpresojmë për një futboll të pastër dhe pa gjëra të veçanta. Nëse ka një gabim, duhet të jetë një gabim njerëzor. E toleroje më shumë më parë, ishte një person që gabonte. Me një video, e ke më të vështirë ta bësh”, tha Konte pas ndeshjes rreth episodit në fjalë.