TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Valentino Murataj nuk është më pjesë e Partizanit. Ky është lajmi që mëson “Panorama Sport” dhe që vjen pas aludimeve të shumta rreth të ardhmes së mesfushorit.
Në fakt mund të themi se largimi i 27-vjeçarit vjen në formën e një surprize, për shkak se për më shumë se në tri sezone ishte kthyer në titullar fiks dhe në një pikë referimi në mesfushë. Për më tepër Murataj ishte edhe një lider në dhomat e zhveshjes, teksa në sezonin e fundit u emërua edhe kapiten i dytë, pas Alban Hoxhës. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shumicën e ndeshjeve. Kontrata e tij skadonte pas një sezoni, por palët kanë gjetur akordin për tu ndarë këtë verë.
DIVORCI – Duhet thënë se nuk është parë as ndonjë ftohje e mesfushorit me klubin apo drejtuesit, pasi mes palëve gjithnjë ka mbizotëruar një marrëdhënie korrekte. Më së shumti nga jashtë shihet si një dëshirë e Muratajt për t’u larguar dhe për të gjetur një mundësi më fitimprurëse. Me Partizanin mesfushori ishte titullar edhe në Europë, ku nisi nga minuta e parë dy ndeshjet kundër maltezëve të Marsaslok, madje shënoi edhe gol në sfidën e luajtur në Elbasan, që duket se ka qenë rrjeta e fundit e tij me fanellën e Partizanit.
DËMTIMIT – Teksa përpiqej të ndihmonte Partizanin, Murataj pësoi edhe një dëmtim mjaft shqetësues. Gjatë javës para ndeshjes së dytë në Maltë, fieraku pësoi një goditje në gju, që pas ekzaminimeve rezultoi të mos ishte një dëmtim i rëndë. Mesfushori vendosi të sakrifikojë dhe luajti si titullar në sfidën e dytë, por fati e ndëshkoi. Që në minutën e pestë ai pësoi një tjetër goditje në pjesën e gjurit, që rezultoi fatale, pasi dëmtimi ka marrë përmasa më serioze dhe do t’i duhet më shumë kohë rikuperimi.
E ARDHMJA – Interesi për Muratajn nuk mungon. Klubi më “i fiksuar” pas tij mësohet të jetë Flamurtari, që është gati ta joshë me një pagë më të mirë seç merrte te Partizani. Fieraku ka edhe oferta nga jashtë vendit, por dëmtimi e mban pezull dhe mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e tij. Ai ka propozime nga Izraeli, Turqia dhe Azerbajxhani.
/Panorama Sport