SPORT, 24 Qershor 2026, 22:40

“Lumumba”, njeriu-statujë, rikthehet në Kupën e Botës dhe bëhet sërish ikonë në tribuna

“Lumumba”, njeriu-statujë, rikthehet në Kupën e

Michel Kuka Mboladinga, i njohur në mbarë botën si “Lumumba”, më në fund ka përjetuar atmosferën e Kupës së Botës nga tribunat, duke u rikthyer menjëherë në një nga figurat më të dashura të tifozërisë.

Tifozi simbol i Republikës Demokratike të Kongos ndoqi ndeshjen ndaj Kolumbisë, pasi kishte humbur debutimin e ekipit të tij kundër Portugalisë për shkak të një izolimi të përkohshëm të kërkuar nga autoritetet amerikane, në kuadër të procedurave shëndetësore të hyrjes në vend.

Pas përfundimit të kontrolleve dhe procedurave përkatëse, Lumumba iu bashkua delegacionit kongolez dhe prania e tij në stadium u kthye menjëherë në një moment të veçantë.

Dhjetëra tifozë e njohën në tribuna dhe iu afruan për foto e selfie gjatë pushimit të ndeshjes, duke e kthyer atë në një nga atraksionet kryesore të spektaklit.

Me paraqitjen e tij karakteristike dhe qëndrimin si “njeri-statujë”, Lumumba tërhoqi vëmendjen po aq sa emocionet në fushën e lojës, duke sjellë një tjetër dimension të pasionit të tifozëve në turneun më të madh të futbollit.

Kush është “Lumumba”?

Michel Kuka Mboladinga është një nga figurat më ikonike të tifozerisë kongoleze. Nofka e tij është një homazh për Patrice Lumumba, liderin historik të pavarësisë së Kongos dhe simbol të identitetit kombëtar.

Pozat e tij të veçanta, të frymëzuara nga statuja e Lumumbas në Kinshasa, e kanë shndërruar atë në një simbol të pasionit afrikan për futbollin.

Ai fitoi famë të madhe gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës vitin e kaluar, ku Republika Demokratike e Kongos arriti deri në fazën e çerekfinaleve.

Tashmë, në Kupën e Botës 2026, “Lumumba” është kthyer në një nga personazhet më të veçantë të tribunave, duke dëshmuar se historia e një turneu të madh shkruhet jo vetëm nga golat dhe lojtarët, por edhe nga tifozët që i japin jetë atmosferës.