SPORT, 2 Qershor 2025, 14:27

Leva ambicioz për të ardhmen: Mosha ime biologjike, 30 vjeç… Nuk është aq keq

Leva ambicioz për të ardhmen: Mosha ime biologjike, 30

Robert Levandovski ka marrë pushimet. Ai vendosi të mos angazhohej në ndeshjet e ekipit kombëtar polak këtë qershor, për të liruar këmbët. Sulmuesi 36-vjeçar i Barçës nuk ka luajtur kurrë në kaq shumë ndeshje në një sezon të vetëm.

Ai ka luajtur 52, nga të cilat: 34 në La Liga, 13 në Ligën e Kampioneve, 3 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës, gjithsej 2.930 minuta. Ish-lojtari i Bajernit dhe Dortmundit arriti gjithashtu rekordin e tij më të mirë të shënimit me fanellën e Barcelonës.

Ai ka shënuar 42 gola në të gjithë turnetë. Në një intervistë me gazetën gjermane “Bild”, sulmuesi polak konfirmoi se do të rikuperohet plotësisht pas një muaji e gjysmë dëmtimi. Ai gjithashtu shprehu ambicien, kënaqësinë me shëndetin e tij dhe besimin në praninë e tij të vazhdueshme te Barça e Hansi Flik.

TRE TROFE NË KËTË SEZON, JO KEQ… “Kam fituar më shumë se 30 trofe të ndryshëm në karrierën time. Por jam gati për më shumë. Nuk mund të qëndrojmë në një vend dhe të merremi me trofetë e fituar. Duhet të punojmë më shumë, që sezoni i ardhshëm të jetë edhe më pozitiv, sa i përket rezultateve dhe trofeve”.

FINANCAT E BARÇËS DHE LARGIMI – “Nuk është aspak problem për mua. Patjetër që do të qëndroj sezonin e ardhshëm. Tani për tani, e vetmja gjë që kam në mendje, është Barcelona”.

36 VJEÇ – “Nuk dua të përsëris atë që e thonë shumë, se mosha është veçse një numër. Por mund ta them me bindje se mosha ime biologjike është 30 vjeç. Nuk mendoj se është keq. Është në përputhje me mënyrën se si ndihem. Fizikisht, ndihem shumë i fortë. Kam gjashtë ose shtatë javë pushime dhe do të rikuperohem plotësisht për të qenë gati për nisjen e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm”.

E ARDHMJA – “E përmenda më lart se unë do të qëndroj së paku edhe në sezonin e ardhshëm te Barcelona. Por e di se vitet kalojnë dhe në një moment do të marr një vendim midis asaj që më thotë zemra dhe mendja ime. Për momentin, ndihem në formë mjaft të mirë, por në futboll gjërat evoluojnë shpejt”.