SPORT, 14 Tetor 2024, 18:11

Lajm tronditës për Real Madridin, David Alaba mund të mbyllë karrierën për shkak të dëmtimit

Lajm tronditës për Real Madridin, David Alaba mund të mbyllë

Lajme tronditëse vijnë nga Spanja, ku bëhet e ditur se situata e dëmtimeve të vazhdueshme të David Alaba, mund të shtyjë futbollistin austriak që të mbyllë karrierën që në moshën 31-vjeçare.

Futbollisti i Real Madrid pësoi një këputje të ligamenteve të gjurit dhe iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai pritej që të kthehej në muajin nëntor në fushat e lojës, por sipas “Onda Cero”, kthimi i tij nuk duket i afërt.

Media spanjolle raporton se lojtari ndjen dhimbje sa herë vë këmbën në tokë me intensitet, pasi për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, struktura e tij e ligamenteve të gjurit është holluar dhe ka fërkim të kockave. Mjekët e klubit dhe specialistët po mundohen të gjejnë një zgjidhje, por e ardhmja e tij në futbollin profesionist në nivelet më të larta duket e zymtë.

Raportohet se tashmë afati i ri për kthimin e Alaba në fushë është parashikuar si janari i vitit 2025, gjithmonë nëse gjendet një zgjidhje për këtë problem jo të vogël.