SPORT, 7 Maj 2026, 19:02

Kriza te Milani, trajneri Alegri motivon skuadrën: Mos u dorëzoni

Kriza te Milani, trajneri Alegri motivon skuadrën: Mos u dorëzoni

Te Milani momenti është delikat, por Masimiliano Alegri ka vendosur të ndërhyjë drejtpërdrejt. Trajneri zhvilloi një fjalim motivues në Milanelo, duke u kërkuar lojtarëve të mos dorëzohen dhe të besojnë deri në fund për objektivat sezonalë. Ndërkohë, një lajm i rëndësishëm vjen nga rikthimi i Luka Modriç në qendrën stërvitore. Mesfushori kroat u paraqit në mëngjes dhe zhvilloi një program të personalizuar, pas një jave ndalese për shkak të frakturës në mollëz, të pësuar pas përplasjes në lojë me Manuel Lockateli.

Koha e rikuperimit zakonisht varion nga 6 deri në 8 javë, por Modriç synon të rikthehet më herët. Synimi i tij është të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundit të sezonit në “San Siro” më 24 maj ndaj Kaljarit, për të përshëndetur tifozët dhe për të ndihmuar ekipin në garën për një vend në Champions League. Gjithsesi, vendimi do të varet nga vlerësimet mjekësore. Sa i përket formacionit, ndaj Atalantës pritet rikthimi si titullar i Koni De Uinter në vend të Fikajo Tomorit, i cili është i pezulluar. Në sulm po shqyrtohet aktivizimi nga minuta e parë i Santiago Gimenez, ndërsa në mesfushë një fanellë titullari diskutohet mes Samuele Riçit dhe Ardon Jasharit.

Alegri i beson liderit të mesfushës

Te Milani gjithçka kalon nga Adrien Rabiot. Në prag të sfidës vendimtare ndaj Atalantës, pyetja kryesore është: cili version i mesfushorit francez do të shfaqet? Në Milanelo shpresojnë të shohin “kalin e çmendur”, lojtarin që mund të tërheqë skuadrën përpara në momentet më të vështira. Milani përballet me tri ndeshje vendimtare në garën për një vend në Champions League, një objektiv që dikur dukej i sigurt, por që tani kërkon luftë deri në fund. Rabiot është autori i golit të vetëm të kuqezinjve në 450 minutat e fundit, atë në fushën e Veronës, një fitore me peshë të madhe për renditjen. Dështimi për të arritur Championsin do të ishte një goditje e rëndë për klubin, me pasoja të mundshme si në aspektin teknik ashtu edhe në drejtim. Në mungesë të Luka Modriç, barra e lidershipit në mesfushë bie plotësisht mbi Rabiot, i vetmi lojtar me profil ndërkombëtar në atë repart që ka në dispozicion Masimiliano Alegri. Megjithatë, kërkohet më shumë, një Rabiot më vendimtar, më energjik dhe më frymëzues. Skuadra ka treguar rënie fizike, mungesë intensiteti dhe vështirësi në krijimin e rasteve për gol. Francezi mund të jetë lojtari që ndryshon ritmin e ndeshjeve dhe zemra e vërtetë e ekipit.

Alegri përballë “fantazmave”

Performanca e Milanit shpesh pasqyron ritmin e Rabiot, kur ai rrit nivelin, skuadra e ndjek; kur bie, vështirësitë bëhen të dukshme, si në ndeshjen ndaj Sasuolos. Pa Championsin, edhe e ardhmja e Rabiot mund të vihet në pikëpyetje, pasi kompeticioni më prestigjioz europian është një synim thelbësor për lojtarë të këtij niveli. Frika e dështimit tashmë është reale dhe do t’i takojë skuadrës dhe Alegrit ta “kapin” këtë presion psikologjik, duke marrë pikët e nevojshme për të mbyllur sezonin me sukses.

Dyshime në mesfushë, Jashari zhgënjen, rikthehet Riçi

Ndërkohë, trajneri duhet të vendosë për organizimin e mesfushës. Paraqitja e Ardon Jashari si regjisori i skuadrës nuk bindi dhe zvicerani pritet të mos jetë titullar ndaj Atalantës. Opsionet kryesore janë rikthimi i Samuele Riçi në rolin e tij natyral si organizator, ose zhvendosja e Jusuf Fofana në qendër me aktivizimin e Ruben Loftus-Çik si mesfushor i avancuar. Në çdo skenar, një gjë mbetet e qartë, Milani sot nuk mund të bëjë pa Adrien Rabiot. Statistikat tregojnë se ai shënon më shumë në transfertë sesa në “San Siro”, por tani është momenti të ndryshojë këtë trend. Me sulmuesit në krizë goli, përgjegjësia bie mbi të. Ky është momenti i së vërtetës, Rabiot duhet të tregojë se mund të jetë lideri i Milanit dhe lojtari që bën diferencën, në mungesë të atyre që pritej ta bënin këtë rol.