TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të shtunën më 30 maj në Budapest do të luhet një finale e paprecedentë në çdo aspekt. PSG–Arsenal. Francë kundër Anglisë, më saktë Paris kundër Londrës, dy metropole që historikisht kanë pretenduar titullin simbolik të “kryeqytetit të botës”. Nga njëra anë një trajner spanjoll i afirmuar dhe me trofe, nga ana tjetër një spanjoll në ngritje. Edhe kjo është një risi, pasi në finalet e mëparshme spanjolle të Championsit, gjithmonë të paktën një trajner ka qenë i huaj.
Një finale krejtësisht e re, edhe pse e tillë do të kishte qenë edhe Bayern–Arsenal. Por kjo përballje sjell një tjetër element historik: asnjëherë më parë nuk ishte luajtur një finale mes një skuadre franceze dhe një angleze. Për PSG-në kjo është finalja e tretë, e dyta radhazi pas triumfit të sezonit të kaluar ndaj Interit. Pra, francezët kanë tashmë një Champions në muze. Ndërsa Arsenal ka luajtur vetëm një finale deri tani, të humbur kundër Barcelonës në sezonin 2005–06 në “Stade de France”. Për më tepër, asnjë skuadër nuk kishte pritur ndonjëherë 20 vite mes finales së parë dhe të dytë. Favoriti i qartë për finalen e 30 majit në Budapest është Paris Saint-Germain. Arsyet janë të shumta. Së pari, Luis Enrique e di mirë si fitohen këto ndeshje.
Perfeksioni me të cilin përgatiti finalen e vitit të kaluar ndaj Interit krijon bindjen se mund të përsëritet e njëjta histori, sidomos sepse skuadra ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Në gjysmëfinalet ndaj Bajern Mynih, PSG tregoi se mund të fitojë si në ndeshje me shumë gola, ashtu edhe në duele ku dominon kontrolli i lojës. Për më tepër, francezët praktikisht e kanë mbyllur kampionatin, duke qenë shumë pranë titullit, ndërsa Arsenal do të duhet të luftojë deri në fund në Premier League. Megjithatë, finalja fsheh gjithmonë rreziqe të papritura. Një prej tyre është arma e fortë e Arsenalit: goditjet standarde, të cilat janë kthyer në një element shumë të rrezikshëm gjatë këtij sezoni të Champions-it. Në një ndeshje të tillë, ato mund të bëjnë diferencën.
Kjo finale ngjan disi me Mançester Siti– Inter, ku anglezët ishin favoritë absolutë, por rrezikuan seriozisht ndaj ekipit të Simone Inzagit. Dy rrugë të ndryshme drejt finales, të paktën në dukje. Në realitet, shpesh është faza mbrojtëse ajo që vendos gjithçka. Pas ndeshjes së parë PSG–Bajern, Luis Enrike ishte i kënaqur, por edhe i zemëruar: skuadra e tij po fitonte 5–2 dhe përfundoi 5–4. Megjithatë, ai kishte arsye të ishte optimist, pasi mund të ndryshojë mënyrën e lojës, duke e kontrolluar ndeshjen përmes mesfushës me Vitinja dhe Zhoao Nevesh, si dhe me eksperiencën e Markinjos dhe forcën e Paçko në mbrojtje. Në sulm, treshja Doe–Dembele– Kvaratshkhelia mjafton për të vendosur ndeshjen me pak shpërthime. Por gjithçka do të jetë ndryshe në finalen e Budapestit. Dhe për ta theksuar: Arsenal nuk ka humbur asnjë ndeshje në këtë Champions League. PSG shkon si super favorit, dhe pikërisht ky është rreziku më i madh i tyre.