SPORT, 15 Nëntor 2025, 22:43

Kosova shkruan historinë me fitoren ndaj Sllovenisë, shkon në play-off, një hap afër Kampionatit Botëror

Kosova shkruan historinë me fitoren ndaj Sllovenisë, shkon në

Kosova ka shënuar një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar në Lubjanë, duke mundur Slloveninë me rezultat 0-2 në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së grupeve në eliminatoret për Kampionatin Botëror.

Me këtë triumf, Dardanët arrijnë në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar matematikisht play-offin, ndërsa grupi kryesohet nga Zvicra me 13 pikë. Sllovenia mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Suedia mbyll renditjen me vetëm 1 pikë.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën. Vetëm në minutën e 6-të, një pasim fantastik në thellësi nga Mërgim Vojvoda që i shpëtoi plotësisht mbrojtjen sllovene, gjeti të lirë Fisnik Asllanin, i cili me qetësi e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për rezultatin 0-1.

Kosova vazhdoi të qëndrojë kompakte, duke menaxhuar lojën dhe duke e detyruar Slloveninë të tentojë kryesisht nga distanca.

Rasti më i rrezikshëm i vendasve erdhi në minutën e 30-të, kur Tomi Horvat gjuajti fort, por Amir Shaipi reagoi në mënyrë fantastike.

Pjesa e parë u mbyll 0-1, me një paraqitje shumë të pjekur të Dardanëve, që përveç golit, kërcënuan edhe me disa gjysmëraste.

Me fillimin e fraksionit të dytë, Sllovenia bëri dy ndryshime, por planet e tyre u shkatërruan shpejt.

Në minutën e 47-të, Petar Stojanovic u ndëshkua me karton të verdhë, dhe vetëm disa minuta më vonë (53’) ai mori edhe të dytin pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke lënë sllovenët me 10 lojtarë.

Kosova e shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike. Në minutën e 63-të, pas një kombinimi të bukur dhe një gjuajtjeje të Muslijës, që u ndal nga Oblak, Dardanët fituan edhe një goditje këndi.

Vetëm një minutë më vonë, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e 64-t, gjatë një aksioni të shpejtë, Muslija harkoi topin drejt zonës së vogël në kërkim të Vojvodës. Mbrojtësi Zan Karnicnik devijoi topin në mënyrë të gabuar dhe e dërgoi në rrjetën e vet – një autogol që çoi rezultatin në 0-2.

Kosova kishte dy mundësi të mira për të shtuar epërsinë, por Veldin Hoxha u ndal nga Oblak, ndërsa Muslija gjuajti bukur, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

Me këtë triumf, Kosova jo vetëm që e fiton ndeshjen me dominim, por edhe arrin objektivin kryesor të fazës së grupeve: kualifikimin në play-off. Një tjetër hap i madh drejt ëndrrës së Botërorit.