TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Interi është futur fuqishëm në garë për të përforcuar mesfushën dhe objektivi kryesor në këtë merkato verore është braziliani i Atalantës, Ederson. Klubi nga Bergamo vlerëson kartonin e tij në rreth 60 milionë euro, por “Corriere dello Sport” raporton se zikaltrit janë të gatshëm të përfshijnë edhe Kristjan Asllanin në një marrëveshje shkëmbimi për të ulur koston.
Ederson vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Atalantën, ku ka spikatur me energjinë, intensitetin dhe praninë e tij në mesfushë dhe pikërisht ato karakteristika që Interi kërkon në një repart ku rivaliteti është i fortë. Por, në këtë tablo të re, çfarë roli ka Kristjan Asllani?
Pas largimit të Simone Inzagit, stolin e Interit e ka marrë Kristian Kivu, një figurë e njohur për besnikërinë ndaj klubit, por ende në fazat e para të karrierës së tij si trajner në nivel të lartë. Emërimi i Kivu është një sinjal i qartë se Interi kërkon të ringjallë identitetin dhe të rinovojë projektin sportiv. Por me një stil ndryshe loje dhe ide të reja taktike, vjen edhe pyetja natyrale: a do t’i besojë Kivu Asllanit? Deri tani, Asllani nuk ka arritur të fitojë një vend titullari të padiskutueshëm.
I ardhur si alternativë për Brozoviçin, ai shpesh ka qenë zgjidhje rezervë dhe nuk arriti të zinte një vend titullari në mesfushë, duke hasur konkurrencën e emrave si Çalhanoglu, Mikitarian apo Barela. Teknikisht i saktë, por ndonjëherë i ngadalshëm në vendimmarrje dhe pa prani fizike, ai nuk ka bindur plotësisht për rolin e regjisorit klasik.
Duke parë planet për të sjellë Edersonin dhe interesimin në rritje nga ekipe si Bolonja, Lacio dhe Uest Hem, largimi i Asllanit mund të bëhet realitet. Në një skemë me shumë lëvizje, ai mund të përfundojë në një ekip ku do të ketë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi. Nga ana tjetër, mbetet mundësia që Kivu t’i japë besimin që nuk e ka pasur deri tani – ndoshta në një rol tjetër, me më pak presion ndërtimi dhe më shumë liri për të shpërndarë topin dhe për të diktuar ritmin.
Interi është duke marrë pjesë në Botërorin e Klubeve, dhe vetëm pas këtij eventi priten lëvizjet kryesore në merkato. Deri atëherë, çështja Asllani do të mbetet pezull. A do të jetë ai pjesë e projektit të ri të Kivu-së? Apo do të zgjidhet të sakrifikohet për të sjellë përforcime të reja në mesfushë? A do të jetë ky sezoni i kthesës për të, apo i ndarjes përfundimtare? Për momentin, gjithçka është e hapur. E vetmja gjë e sigurt është se Interi po ndryshon dhe në këtë ndryshim, pozicioni i Asllanit.