SPORT, 19 Qershor 2025, 18:22

Vlahoviç mban “peng” Juventusin, nëse nuk shitet ai s’do të ketë afrime

Vlahoviç mban “peng” Juventusin, nëse nuk shitet ai

Në Torino, gjithçka rrotullohet rreth emrit të Dushan Vlahoviçit. Sulmuesi serb, që nga 1 korriku, do të përfitojë një pagë prej 12 milionë eurosh neto në vit deri në përfundim të kontratës, më 30 qershor 2026, ku nuk bën më pjesë në projektin teknik të Juventusit.

Megjithëse trajneri Igor Tudor ka shprehur gjithmonë simpati për Vlahoviçin që nga koha e tij te Verona, drejtuesit bardhezi i kanë bërë të qartë sulmuesit se është në shitje. Çmimi që kërkon “Zonja e Vjetër” për kartonin e tij është rreth 20 milionë euro, një shumë relativisht e ulët për një sulmues të këtij niveli, por paga e majme që ai përfiton mbetet pengesa kryesore për çdo klub të interesuar.

Një nga skuadrat që ka shfaqur interes konkret është Milani. Trajneri i sapoardhur, Masimiliano Alegri, e sheh Vlahoviçin si një alternativë ideale ndaj Santiago Gimenez, që mbetet prioritet për ofensivën kuqezi. Megjithatë, Milani nuk është në gjendje të përballojë pagën aktuale të serbit, dhe nga kampi i lojtarit nuk ka ende sinjale hapjeje për një ulje të pretendimeve. Një skenar interesant është ideja e një shkëmbimi me Teo Hernandezin, por diferenca e madhe në paga (4.5 milionë për Teo kundrejt 12 për Vlahoviç) e bën tratativën shumë të ndërlikuar. Largimi i Vlahoviçit do të hapte derën për një investim të madh në një qendërsulmues të ri.

OBJEKTIVAT- Objektivi i madh i Juventusit është Viktor Gyokeres, sulmuesi i Sportingut. Por pista është jashtëzakonisht e vështirë, pasi Arsenali është futur fuqishëm në garë dhe është gati të ofrojë mbi 60 milionë euro. Në këtë moment, bardhezinjtë nuk janë në gjendje të konkurrojnë për nga shifra. Një tjetër emër i madh në listën e Juventusit është Viktor Osimhen. Nigeriani, pas përfundimit të huazimit te Gallatasaraj, nuk dëshiron të largohet nga Europa dhe nuk ka pranuar ofertat e majme nga Arabia Saudite. Napoli ka vendosur një klauzolë prej 75 milionë eurosh për shitjen jashtë Serisë A, por Juve mund të përpiqet të ulë çmimin, duke përfshirë lojtarë si Gati apo Kambiazo, të dy të vlerësuar nga Antonio Konte.

TË TJERËT- Në rast se pistat kryesore dështojnë, Juventusi ka rezervuar dy alternativa interesante. E para është Xhonatan Dejvid, që mund të vijë me parametër zero. Kontakte me përfaqësuesit e tij kanë ndodhur, por kërkesat e larta për pagën dhe komisionet për agjentët e komplikojnë marrëveshjen. Emri më i ri në orbitën bardhezi është ai i Emanuel Emega, sulmuesi holandez i Strasburgut. I lindur në vitin 2003, Emega është vëzhguar nga drejtori i ri i Juventusit, Komoli, që e njeh nga periudha e tij te Tuluza. Edhe pse Çelsi e ka në radar, pas afrimit të Delap, londinezët mund të tërhiqen, duke i hapur Juventusit një dritare.