SPORT, 30 Nëntor 2021, 16:45

Inter i frikshëm, dhjetë çelësa për të “shkyçur” portën

Inter i frikshëm, dhjetë çelësa për të

Nëse nuk funksionon një çelës për të hapur portën e fitores, Interi ka në dispozicion një tjetër, pastaj përsëri një tjetër. Kundër Venecias ishte e 33-ta ndeshje radhazi që zikaltrit e gjejnë golin, këtë herë me anë të një goditjeje nga jashtë zonës që nuk ndodhte prej kohës. Ishte ky demonstrimi i radhës që kapaciteti që ky Inter ka për të realizuar është shumë i gjerë dhe përfshin të paktën 10 mënyra.

GODITJE NGA JASHTË ZONE – Rritja vertikale e Çalhanoglusë po vjen nga mënyra e re e të lëvizurit: i vendosur dhe autoritar, duke e lënë mënjanë druajtjen e fillimit. Pastaj ajo që vlen është saktësia. Turku është arma më efikase për të tentuar çdo lloj goditjeje dhe kërkesa e trajnerit është e qartë: të provojë gjithmonë e më shumë.

GODITJET STANDARDE – Vitin e kaluar Interi mbështetej vetëm tek Eriksen, ndërsa këtë herë specialistët janë dy. Përveç të djathtës së Çalhas, është shtuar edhe e majta e Dimarkos, i cili me golin e shënuar ndaj Sampit, rikujtoi Rekobën. Për të shfrytëzuar ketë aftësi të tyre, Inzagi ka tashmë një ligj: njëri prej të dyve duhet të qëndrojë patjetër në fushë.

GOLA ME KOKË – Nuk është më Hakimi, por krahët vazhdojnë të dhurojnë kënaqësi të mëdha falë një Darmiani e një Perisiçi të jashtëzakonshëm. Sistemi i Inzagit i shfrytëzon mirë të dy krahët me topin që kalon nga një krah në tjetrin dhe me krosime në zonë, të cilat Xheko nuk i fal.

SHFRYTËZUES – Para janë ekzekutues profesionistë dhe mbrojtjeve kundërshtare nuk u lejohen shpërqendrime, sepse Xhekos e Lautaros u mjafton një fraksion sekonde për të ndëshkuar. Tashmë dyshja ka gjetur vazhdimësinë. Goli tipik është ai ndaj Juves, ku një prekje dinake e boshnjakut e dërgoi topin në rrjetë.

AKROBACIA – Ky Inter nuk di vetëm të jetë oportunist, por edhe të veprojë me shumë fantazi dhe instinkt. Mbi të gjitha di të mahnisë me akrobaci: kur nga krahët vjen krosi i duhur, Xheko dhe Lautaro kanë koordinimin e mjaftueshëm për të goditur fluturimthi, ashtu si e djathta e Lautaros ndaj Atalantës, një vepër arti e denjë për muze.

KUNDËRSULMI – Inzagi është nga ata trajnerë që si bazë të mënyrës së lojës së tij ka kontrollin e topit, por nuk e refuzon asnjëherë mundësinë për të kundërsulmuar në ato ndeshje ku çdo gjë duket e mbyllur. Korrea edhe në Milano, ashtu si me Lacion sapo gjen hapësirë, përshkon gjithë fushën duke u bërë shumë i rrezikshëm, si për të realizuar vetë edhe për të shërbyer te shokët.

SKEMAT NGA RIVËNIET – Goli i parë i sezonit ka ardhur pikërisht nga një rivënie anësore. Perisiç ka gjetur Xhekon në shtyllën e parë, Lautaro është liruar në zonë dhe kështu ka ardhur goli, në dukje i thjeshtë, por pas të cilit fshihen orë të tëra pune në Pinetina për ta vendosur më pas në praktikë në fushë. Janë pikërisht detajet që do të bëjnë diferencën në rrugën drejt titullit.

PRESION I LARTË – Interi kërkon të zotërojë topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe për të ushtruar presion Inzagi kërkon edhe përfshirjen e anësorëve të trios së qendrës. Shkriniar e Bastoni duhet të shtyjnë e kur humbasin topin, të gjithë për 5-10 sekonda duhet të rikthehen në pozicionet e tyre natyrale.

INKURSIONET – Mes mënyrave më të mira për të sulmuar nuk mund të mungonin inkursionet, mbi të gjitha ato të mesfushorëve: vrapojnë në thellësi, depërtojnë mes linjave dhe befasojnë me ritmin. Barela është simboli i këtyre lëvizjeve, por edhe Brozoviç, Vidal e Vesino e kanë lënë shenjën e tyre.

GODITJET E KËNDIT – Me Çalhanoglunë e Dimarkon si ekzekutues, çdo goditje nga këndi është një mundësi e artë, ndërkohë që Inzagi orienton për skemat nga pankina. Goli i parë i sezonit erdhi nga Shkriniar, që shfrytëzoi asistin e ardhur pikërisht nga goditja e këndit