SPORT, 2 Dhjetor 2021, 09:12

Fitorja ndaj Specias, Inzagi: Të vazhdojmë kështu, radhën e ka Roma!

Fitorja ndaj Specias, Inzagi: Të vazhdojmë kështu, radhën e

Simone Inzagi ka marrë tri pikë të tjera të vyera dhe mbi të gjitha ka marrë përgjigje pozitive edhe nga lojtarët që aktivizon më pak. Të gjithë duket se japin maksimumin te ky Inter dhe trajneri është i bindur se me këtë qëndrim mund të shkojnë larg, por sidoqoftë i kërkon skuadrës të ruajë përqendrimin për ndeshjen tjetër.

SFIDA – “Një ndeshje shumë e rëndësishme që duhej dominuar që në fillim dhe djemtë ia dolën ta bënin këtë. Fakti që nuk pësuam gol është një burim i madh kënaqësie, mbi të gjitha për faktin se në mbrojtje ishim në emergjencë. Mendoj se kemi qenë shumë të zotë në menaxhimin e lojës dhe në shpejtësinë me të cilën luajmë.

Sot (dje) bëmë gol pas 15 pasimeve, në Venecia ndodhi pas 22-23 pasimeve. Përgëzoj D’Ambrozion që hyri mes linjave dhe po ashtu Luataron e mbi të gjitha Galjardinin që jep maksimumin çdo ditë në stërvitje. Fatmirësisht, të gjithë janë treguar të zotët dhe shumë kompaktë pa lejuar hapësira, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk kemi bërë asgjë akoma”.

PENALLTITË – “Kam shumë besim te të gjithë ata që gjuajnë penalltitë. Kemi Lautaron, Çalhanoglunë dhe Perisiçin, jemi të mbuluar shumë mirë në këtë drejtim. Në jemi sulmi më i mirë në kampionat dhe duhet të shënojmë gjithmonë, madje edhe sot duhet të kishim shënuar të tretin”.

ÇALHANOGLU E DUMFRIS – “Çalhanoglu ka shumë cilësi dhe nuk është merita ime rritja e tij, por e punës së vet. Jam i lumtur për të ashtu si për këdo tjetër dhe me këtë dëshirë e forcë grupi, jam i bindur që mund të arrijmë shumë larg. Jam shumë i kënaqur edhe me Dumfrisin, por unë nuk e kam vendosur asnjëherë në dyshim.

Unë e mendoj gjithmonë në zgjedhjet e mia, por Darmian ka qenë në një formë të jashtëzakonshme, për këtë ka qëndruar jashtë, por është një vlerë e shtuar për ne”.

ROMA – “Shpresoj shumë që për Romën të rikuperojmë ndonjë lojtar për të pasur sa më shumë mundësi zgjedhjeje. Mendoj se mund të kthehet Kolarov, por gjithsesi jam i qetë, mund të përshtasim një mesfushor ose të kthehemi me katër mbrojtës. Duhet të përgatitemi mirë, ndeshja me Romën do të jetë impenjative”.

TITULLI – “Për titull ka shumë skuadra. Siç e shikoni, të gjithë vrapojnë dhe asnjë nuk ka ndër mend të ndalet. Pastaj duhet të kemi kujdes edhe nga Atalanta. Asgjë s’do të jetë e thjeshtë”.