SPORT, 1 Dhjetor 2021, 20:56

Seria A/ Interi mposht Spezian dhe ngjitet përkohësisht i dyti, Roma bie në Bologna

Seria A/ Interi mposht Spezian dhe ngjitet përkohësisht i dyti, Roma

Interi ka bërë detyrën ndaj Spezias në javën e 15-të të Serie A. Ekipi i Inzaghit ia doli të merrte një fitore pa shumë vuajtje, 2-0 ndaj Spezias.

Siparin e golave e hapi Roberto Gagliardini në pjesën e parë. Një lojë mjaft e mirë ekipi, bëri që mesfushori të gjendej i lirë në kufijtë e zonës dhe me një goditje mjaft të mirë në cepin e portës e ndali topin në rrjetë.

Ndërkohë, për të dyfishuar gjithçka mendoi Lautaro Martinez. Arbitri i ndeshjes akordoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë. Nga pika e bardhë e penalltisë goditi argjentinasi që vulosi edhe rezultatin përfundimtar të takimit. Sulmuesi shqiptar Rey Manaj u aktivizuar përgjatë 90 minutave.

Në ndeshjen tjetër midis Bolognas dhe Romës, ekipi i Mihajlovic fitoi me rezultatin minimal 1-0. Golin që zhbllokoi takimin e shënoi Mattias Svanberg në minutën e 35-të. Suedezi shënoi një gol mjaft të bukur nga distanca duke mposhtur portierin Rui Patricio.

Roma ndërkohë, u përpoq gjatë gjithë pjesës së mbetur të takimit të paktën për të barazuar, por pa mundur dot të  çojë topin në rrjetë. Kështu, Mourinho pëson një tjetër humbje në Serie A, pas dy rezultatesh pozitive.

Interi ngjitet provizorisht në vendin e dytë të Serie A me 34 pikë, dy më shumë se Milani i vendit që luan në orën 20:45 kundër Genoas. Bologna ndërkohë ngushton diferencën në një pikë me Romën e vendit të gjashtë që pas 15-të javësh kampionat ka 25 pikë.