SPORT, 14 Korrik 2023, 20:50

Armando Broja tregon dëshirën e fshehtë: Dua të eksploroj Amerikën! Atje pashë edhe furgonin e Skubi Du, kishte gjëra të frikshme

Armando Broja tregon dëshirën e fshehtë: Dua të eksploroj

Armando Broja është kthyer përsëri në stërvitje me skuadrën e Çelsit, teksa shpreson që të bindë trajnerin Mauricio Poçetino që ta mbajë pjesë të ekipit dhe ta aktivizojë në ciklin e ri që po fillon te londinezët. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka lënë pas dëmtimin dhe ka nisur fazën përgatitore me blutë, të cilët pas pak ditësh udhëtojnë drejt ShBA-së për një turne veror atje.

Një vizitë në Amerikë të cilën Broja ka zbuluar se e pret me padurim, për arsye sportive e jo vetëm. Duke folur për faqen e klubit, ai ka treguar se eksperienca e tij e parë përtej Atlantikut ka qenë pikërisht me londinezët në vitin e kaluar për fazën përgatitore.

“Hera ime e parë në Amerikë ishte në fakt faza përgatitore e sezonit të kaluar. Nuk kisha qenë kurrë atje por kisha dashur gjithmonë të shkoja. Është një vend me të vërtetë interesant. Nuk qëndruam gjatë atje, por më kujtohet që shkuam në Los Anxhelos dhe Las Vegas. Ishte e këndshme të dilje dhe të përjetoje diçka ndryshe.

Ishte një vend shumë i nxehtë, është çmenduri atje gjatë verës, shumë lagështirë dhe nuk kishte shumë ajër. Por ishte e këndshme të përjetoje një ambient ndryshe. Meqë nuk kisha qenë më parë në SHBA, ishte një eksperiencë mjaft e mirë.

Ne kishim një ditë pushim kur shkuam në Los Anxhelos dhe dolëm pak, pamë dyqane të ndryshme dhe shumë gjëra. Unë në të vërtetë nuk dija vende ku të shkoja, por dolëm xhiro me disa prej djemve, bëmë pak shoping dhe thjesht shikuam gjërat rreth e rrotull.

Pastaj ne shkuam te “Universal Studios” dhe shikuam ku ata bënin të gjithë filmat. Ishte shumë e këndshme, mund të shihje të gjithë skenat që përdorin për rrëzimet e avionëve apo gjëra të tjera, të gjitha makinat e “Fast and Furious”, furgonin e Skubi Du dhe gjëra si këto. Ishte në të vërtetë një eksperiencë e këndshme dhe padyshim që dua të shkoj përsëri.

U ndjeva si aktor në film. Më kujtohet që kaluam pranë një seti kinematografik dhe ishte një kasolle e një filmi horror, ku kishte një aktor që po rrinte atje me një thikë të rreme duke na parë, gjë që të kallte pak datën. Në fakt ishte e këndshme dhe do të dëshiroja të kishim më shumë kohë që të dilnim dhe shihnim gjithçka, por gjithsesi ishte një ditë e këndshme.

Unë dua të kthehem dhe të eksploroj Amerikën, pasi kam dashur gjithmonë të shkoj atje. Më pëlqen vendi, ka vende shumë të ndryshme ku mund të shkosh. Unë dua të shkoj në Majemi, Nju Jork dhe shumë vende të tjera. Meqë është një vend aq i madh, mund të përjetosh gjëra të ndryshme, në vende të ndryshme, ndaj do të dëshiroja të shkoja atje me familjen time, edhe larg futbollit”, tha Broja për faqen e klubit të Çelsit para vizitës së radhës në SHBA.