SPORT, 2 Shtator 2025, 18:37

ANALIZA/ Inter i ri, por me problemet e zakonshme të grupit

ANALIZA/ Inter i ri, por me problemet e zakonshme të grupit

Pas fitores së thellë ndaj Torinos, ku zikaltërit treguan forcë dhe fantazi në lojë, Interi i drejtuar nga Kristian Kivu hasi vështirësi të papritura ndaj Udineses.

Ndeshja nisi me ritëm të mirë dhe me qëllimin për të vazhduar ecurinë pozitive, por Interi u përball me një mbrëmje të komplikuar. Pas avantazhit të Dumfris, që dukej se do t’i jepte qetësi, skuadra ra në një periudhë “blackout”-i dhe humbi kontrollin e lojës. Reagimi i Udineses ishte i menjëhershëm: Dejvis dhe Ata përmbysën rezultatin, duke shfrytëzuar dobësitë në mbrojtjen dhe organizimin e zikaltërve.

Pjesa e dytë u shndërrua në një sulm të njëanshëm nga Interi, që u përpoq të shtynte lojën në gjysmën e kundërshtarit, por pa ide të qarta dhe pa saktësi në vendimet e fundit. Problemet kryesore u panë në mesfushë. Çalhanoglu dhe Suçiç nuk arritën të mbizotëronin fizikisht ndaj kundërshtarëve Piotrovski e Karlstrom, ndërsa anësorët Dimarko dhe Dumfris nuk patën guximin e zakonshëm në dyluftimet një për një. Sulmi me Lautaron dhe Turam nuk arriti të gjente mekanizmat e zakonshëm të kombinimeve, duke mbetur i izoluar dhe pa rrezik real. Një tjetër element negativ ishte mungesa e kontributit të mbrojtësve në ndërtimin e lojës.

Bastoni dhe Bisek, zakonisht pika të forta për daljen me top, nuk patën ndikimin e pritur, ndërsa Barela shpesh gaboi në zgjedhjet e tij me topin në këmbë. Situata e krijuar bëri që Interi të humbiste qartësinë dhe të futej në një kaos të përgjithshëm taktik. Edhe tentativa për të luajtur me katër sulmues në fund nuk solli fryt. Udinese u mbrojt me disiplinë të hekurt, duke mbyllur çdo hapësirë dhe duke fituar shumicën e dueleve ajrore me Kristensen dhe Solet. Përpjekjet e zikaltërve për të thyer murin e vendasve rezultuan të pafrytshme dhe ndeshja u mbyll me një humbje zhgënjyese. Pas “bollëkut” të golave ndaj Torinos, kjo disfatë shërben si sinjal alarmi për projektin e Kivu.

Interi mbetet një skuadër në ndërtim, me potencial të madh, por që ende nuk ka arritur ekuilibrin e duhur mes cilësisë teknike dhe forcës fizike. Për zikaltërit, kjo është një goditje e lehtë, por edhe një mësim i vlefshëm për të ardhmen. Inter i Kivut ka ende kohë për tu riformatuar. Sfida ndaj Udineses tregoi edhe njëherë tjetër se ekipi zikaltër ende nuk është i plotë për të përballuar një sezon të gjatë e me tepër peripeci. Teknikut rumun do ti duhet ende shumë punë e më tepër kohë për të implementuar të gjitha idetë e tij në skuadrën e tij.