AKTUALITET, 2 Nëntor 2020, 21:41

Speciale/ Zgjedhjet në SHBA, më të rëndësishmet e një jete! Ku ndahen kandidatët, çfarë thonë sondazhet?!

Speciale/ Zgjedhjet në SHBA, më të rëndësishmet e

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të shkojnë në zgjedhje në më pak se 24 orë, në një situatë mjaft të polarizuar dhe në mes të një pandemie. Qytetarët do të zgjedhin mes kandidatëve për president, Donald Trump dhe Joe Biden. Ata do të votojnë gjithashtu edhe për anëtarët e kongresit. Siç ndodh gjithmonë, zgjedhja e presidentit të SHBA-së, nuk ka rëndësi vetëm për dinamikat e brendshme të vendit, por për mbarë globin. Këtë herë, ato janë edhe më të rëndësishme. Ekziston një konsensus mes akademikëve, historianëve dhe politikanëve, se fati i vendit, por edhe pozicioni i SHBA-ve në botë, varet në mënyrë në pazgjidhshme nga zgjedhjet e 3 nëntorit. Kursi në të cilën Donald Trump e ka futur Amerikën, duke i mëshuar më tepër përçarjes dhe dallimeve racore, injorimit të ndryshimeve klimaterike, izolimit të vendit nën moton “Amerika e para”, politikat e jashtme mjaft të personalizuar dhe mosmarrëveshjet me aleatët tradicional si Bashkimi Europian, vetëm sa do të thelloheshin nga një fitore e tij. Tetë vite me Trump në krye të SHBA-ve, do të çimentonin një tjetër ideologji, duke zhvlerësuar më tej rendin e demokracisë liberale dhe duke avancuar “trumpizmin”. Nga ana tjetër, kundërshtari i tij, Joe Biden, i favorizuar nga sondazhet, i ka mëshuar luftës ndaj pabarazisë racore, rikthimit të mekanizmave për mbrojtjen e mjedisit, luftën ndaj koronavirusit, të drejtës për trajtim shëndetësor dhe çfarë është më e rëndësishme, aleancave ndërkombëtare, që kanë marrë një kurs të ri me Trump në krye. Biden shpreson se fokusimi në këto çështje, do t’i japin atij mandatin e presidentit. Premtimet e kandidatëve, ku ndahen ata? Pandemia e Covid-19: Një nga pikat më të nxehta që e ka dominuar fushatën elektorale, është pandemia e Covid-19. SHBA ka numrin më të lartë të viktimave në mbarë botën, me 236,696 fatalitete që prej fillimit të pandemisë dhe mbi 9 milionë të infektuar. Presidenti Trump shpesh ka dhënë mesazhe kontradiktore për rrezikun që mbart ky virus, duke dhënë edhe herë pas here këshilla mjekësore, gjë që ka alarmuar ekspertët, të cilëve u është dashur ta përgënjeshtrojnë. Trump e tërhoqi SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në mes të pandemisë dhe e ka akuzuar OBSH-në, se ka bashkëpunuar me Kinën dhe se është një “kukull” e Kinës. Joe Biden ka mbështetur mbajtjen e maskave në shkallë të gjerë dhe ka premtuar se SHBA do të rikthehet në OBSH dhe do ta financojë atë. Emigracioni: Sa i përket emigracionit, palët kanë qëndrimi diametralisht të kundërta. Presidenti Trump ka ardhur në pushtet duke premtuar ndërtimin e një muri ndarës me Meksikën, të cilin ende nuk e ka shndërruar në realitet. Ai gjithashtu ka favorizuar reduktimin e emigracionit dhe administrata Trump u përfshi në procesin kontrovers të ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufi me Meksikën në vitin 2018. Kandidati demokratik Joe Biden, e kundërshton ndërtimin e murit me Meksikën dhe mbështet zgjerimin e programit të Green Card, që u jep emigrantëve leje qëndrimi në SHBA. Politika e jashtme: Donald Trump ka vendosur gjatë presidencës së tij, në qendër të sulmeve Kinën, duke e akuzuar për spiunazh dhe manipulim të monedhës. Së fundmi, ai e ka sulmuar Kinën duke e akuzuar për përhapjen e koronavirusit dhe duke e quajtur Covid-19 “murtajën kineze”. Trump ka mbajtur qëndrim kritik ndaj Iranit, ndërsa ka mbështetur Izraelin dhe Arabinë Saudite. Trump ka qenë një mbështetës i Brexit dhe shpesh i ka tensionuar marrëdhëniet me aleatin tradicional të SHBA-ve, Bashkimin Europian. Në lidhje me Korenë e Veriut, ai i ka kushtuar rëndësi më të veçantë dhe ka zhvilluar një takim historik me Kim Yong-un, por sipas analistëve, pa rezultate konkrete. Me Rusinë, Trump ka patur një marrëdhënie relativisht të mirë edhe pse pati akuza për përfshirje të agjentëve rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Kandidati demokrat, Joe Biden, gjithashtu e ka kritikuar Kinën dhe e ka konsideruar atë një rrezik serioz. Në lidhje me Korenë e Veriut, Biden ka kritikuar qëndrimin e Trump, duke u shprehur se ai ka legjitimuar një diktator si Kim Yong-un. Për Rusinë, kandidati demokrat ka deklaruar se është një rrezik për vlerat demokratike. Mjedisi dhe Klima: Donald Trump është tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe ka lehtësuar shumë prej kontrollove ndaj kërkimit për lëndë fosile. Por Trump ka bërë progres në disa marrëveshje për ndotjen detare. Joe Biden është zotuar të rikthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe ka mbështetur masa më shtrënguese për të “luftuar” ndotjen mjedisore. Premtimi i tij është kalimi në energji të pastër të rinovueshme deri në vitin 2035. Çfarë na tregojnë sondazhet? Sipas BBC Poll Tracker, Biden udhëheq me 52% sondazhet në rang kombëtar, ndërsa republikani Trump arrin të sigurojë 44% të votave. Megjithatë sondazhet kombëtare, nuk e parashikojnë gjithmonë fituesin e zgjedhjeve. Në vitin 2016, Hillary Clinton kryesonte këto sondazhe dhe arriti të fitojë votën popullore me mbi tre milionë vota, por sërish i humbi zgjedhjet. Nga ana tjetër, në sondazhet për vendet që konsiderohen kyçe, si në Miçigan, Pensilvani dhe Wisconsin, udhëheq Joe Biden. Në Ohio, Iowa dhe Texas, ku Trump fitoi në vitin 2016, duket se ka një rënie të tij, çka pritet t’i vështirësojë këto zgjedhje për kampin republikan. Dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve dhe rezultatet paraprake Donald Trump ka vendosur në pikëpyetje procesin zgjedhor. Ai ka kërcënuar se do t’i drejtohet gjykatës lidhur me mashtrimet e mundshme zgjedhore. Edhe pse nuk ekzistojnë prova konkrete për të faktuar manipulimin e zgjedhjeve, Trump i ka mëshuar idesë se votimi me postë mund të manipulohet, por manipulimi dhe mashtrimi zgjedhor në SHBA janë dukuri tejet të ralla, sipas ekpertëve. Shtetet republikane ndërkohë kanë marrë disa masa për të shmangur këtë dukuri: më pak qëndra votimi dhe më pak kuti. Numërimi i votave të dërguara me postë, pritet ta vonojë shpalljen e rezultatit, ndërsa rezultati paraprak mund të japë një avantazh të gënjeshtërt për të dy kandidatët. Sipas ekspertëve rezultatet paraprake të publikuara mund të ndryshojnë shumë në varësi të zonave që numërohen të parat. Si votohet në SHBA? Kur amerikanët votojnë për President, ata në fakt votojnë për një përfaqësues të asaj partie i cili më vonë voton për kandidatin e partisë së tij, duke e komplikuar disi procesin. Çdo shteti i lejohen një numër i caktuar përfaqësuesish bazuar në numrin e distrikteve të përfaqësuara në Kongresin Amerikan. Këto distrikte bazohen në numrin e popullsisë në cdo shtet. Në SHBA ka 538 distrikte dhe duhet një shumicë prej 270 votash për të fituar zgjedhjet presidenciale. Ky sistem njihet si Kolegji Elektoral dhe e ka zanafillën që në krijimin e SHBA për të siguruar amrikanët se votat e tyra vlejnë njëlloj pavarësisht se në cfarë zone jetojnë. Një shtet me dendësi shumë të ulët popullsie si Dakota e Veriut, apo shtete të vogla në sipërfaqe si Vermont janë të mbi-përfaqësuara ndërsa shtete të mëdha si Texas apo Kalifornia janë të nën-përfaqësuara në Kolegjin Elektoral. Të shumta janë zërat publik që deklarojnë se ky sistem nuk është demokratik. Në vitin 2016, Hillary Clinton, i humbi zgjedhjet edhe pse fitoi 3 milionë vota më shumë në total, se kundershtari i saj Trump. Gjykata Supreme dhe roli në zgjedhje Senati amerikan, ka konfirmuar gjykatësen Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme, të nominuar nga Presidentit Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale. Kjo mund të quhet një fitore e fundit dhe e rëndësishme e Trump gjatë mandatit të tij, dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale.  Republikanët votuan 52-48, në favor të Amy Coney Barret duke mundur opozitën e unifikuar të demokratëve. Gjykata supreme tashmë do të dominohet nga konservatorët dhe do të ketë një përbërje 6-3 në favor të tyre. Demokratët e kanë kundërshtuar nominimin e Amy Coney Barret dhe kandidati për president, Joe Biden, bëri disa herë thirrje që nominimi për vendin vakant të krijuar pas vdekjes së Ruth Bader Ginsburg në Gjykatën Supreme, të bëhej nga fituesi i zgjedhjeve. Një gjë e tillë u refuzua kategorikisht nga Trump, me argumentin se ai i ka fituar zgjedhejt dhe mandati i tij është deri në ditën e fundit, përfshirë edhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale. Pavarësisht se Trump ka sugjeruar se rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë në Gjykatën Supreme, shanset për një gjë të tillë janë thuajse minimale. Skenari i vetëm kur Gjykata Supreme mund të përfshihet në zgjedhje, është në rastet kur përpara saj do të çohet për zgjidhje një pyetje për të cilën mund të ketë një konflikt ligjor dhe kjo në vetëvete është mjaft e rrallë.