TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Spanjës ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të përdorë një “Plan Marshall” të tij, duke përshkruar një program të investimeve publike të afta për të luftuar goditjen e thellë ekonomike të krizës nga koronavirusi.
Spanja është shfaqur si një nga vendet më të goditura në Evropë, me numrin e të vdekurve që u rrit në 1,720 viktima. Vendi ka 28,572 raste të konfirmuara – një numër që pritet të rritet në ditët në vijim. Zyrtarët kanë paralajmëruar se më e keqja nuk ka ardhur ende.
“Ne jemi në një moment kritik, ditët në vazhdim do të jenë të vështira”, tha kryeministri Pedro Sanchez, në një fjalim televiziv. “Ne duhet të jemi gati psikologjikisht dhe emocionalisht”, theksoi ai.
“Rreth 12% ose 3,475 raste të konfirmuara janë mjekë, infermierë dhe të tjerë në vijën e parë të betejës së koronavirusit”, tha të dielën, kreu i qendrës së urgjencës shëndetësore të Spanjës.
Në fillim të kësaj jave, Spanja humbi punëtorin e saj të parë të kujdesit shëndetësor nga virusi, një infermiere 52-vjeçare.
Ndërsa qeveria përpiqet të përmbajë virusin, banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, përveçse për udhëtime thelbësore, një bllokim gati total. Sanchez tha të dielën se ai do të kërkojë të zgjasë masat e emergjencës deri më 11 prill.
Ai gjithashtu njoftoi masa shtesë, duke përfshirë një kufizim 30-ditor për udhëtarët që vijnë nga vendet jo të BE-së, përveç atyre që janë në udhëtim thelbësor.
Po ashtu, qeverive rajonale do t’u jepet fuqia për të marrë kontrollin e shtëpive të kujdesit privat në mes të shqetësimeve se përhapja e pakontrolluar e virusit në institucionet e kujdesit mund të lidhet me vdekjen e të paktën 100 njerëzve.
Ndërsa vendi lufton të përmbajë virusin, shumë shqetësohen për ndikimin ekonomik që do të ketë kjo krizë, me shkallën e papunësisë tashmë ndër më të lartat në botën e industrializuar.
Duke vlerësuar përgjigjen e BE-së ndaj krizës së deritanishme, Sanchez bëri thirrje për një plan të gjerë të BE që synon të rigjenerojë ekonomitë e vendeve anëtare. “Ne kemi nevojë për të artikuluar një Plan të Madh Marshall të rindërtimit”, tha ai. “Evropa është në luftë kundër koronavirusit. Dhe ne duhet të përgjigjemi me të gjitha armët, me të gjitha mjetet tona”.