TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqiptarët dhe jo vetëm, i kanë ardhur në ndihmë familjes shqiptare Manati në Jacksonville të Floridës pas zjarrit vdekjeprurës në shtëpinë e tyre që u mori jetën 3 fëmijëve të tyre, ndërsa prindërit dhe fëmija tjetër janë ende në spital, të lënduar rëndë.
Nga donacionet në GoFundMe, llogari e hapur nga e afërmja e familjes, Alessia Firi, janë grumbulluar rreth 270 mijë dollarë. Paratë do të shkojnë për shpenzimet mjekësore, shpenzimet e funeralit për tre fëmijët që humbën jetën, si dhe shpenzime të tjera që familja mund të përballet.
Objektivi i vendosur është 300 mijë dollarë.
Trupat e tre të miturve do të prehen në SHBA, aty ku edhe kishin lindur.
Gentiani dhe bashkëshortja e tij Ishin larguar me ëndrra të mëdha nga lagjja “18 tetori” nga qyteti i vogël i Lushnjës në vitin 2002 për të prekur tokën e premtuar përmes lotarisë amerikane.
Atje do të nisnin gjithçka nga e para, duke krijuar dhe familjen e tyre që tashmë nuk është më e plotë. Më pas në SHBA u vendosën edhe prindërit e Gentianit, të cilët jetonin në të njëjtin qytet, por në një tjetër banesë në Jacksonville.
Alarmi u dha rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës. Ekipet e emergjencës mbërritën vetëm pak minuta më vonë dhe u përballën me flakë të fuqishme në katin e parë të banesës, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym.
Dy të rritur kishin arritur të dilnin nga shtëpia së bashku me dy fëmijë përpara mbërritjes së zjarrfikësve. Gjatë kontrollit të banesës, ekipet e shpëtimit gjetën pa shenja jete tre fëmijët e tjerë, binjakët 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç.
Zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa u shkatërrua plotësisht.