AKTUALITET, 22 Nëntor 2019, 14:02

Soko: Ku kanë shkuar 150 mln dollarë nga Bashkia e Tiranës?

Soko: Ku kanë shkuar 150 mln dollarë nga Bashkia e Tiranës?



Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, në një intervistë për SYRI TV ngriti pikëpyetje për mënyrën se si shpenzohen taksat e mbledhura nga Bashkia e Tiranës.

 “Kemi paguar 25 milionë dollarë taksë për arsimin, vetëm një shkollë është ndërtuar, nuk kemi marrë asnjë shkollë. Vetëm shkolla ‘Kosova’.

Kemi paguar 11 milionë dollarë shtesë për Ujësjellësin. Ku është uji i pijshëm? Ku janë lekët?

Taksat e pastrimit u dyfishua. Sot mblidhen dyfish lekë. Çfarë morëm ne shtesë nga kjo taksë?

U rrit taksa e shfrytëzimit të hapësirës publike. U dhjetëfishuan taksat. Tani, këto lekë ku i çojnë? Çfarë kanë marrë qytetarët?

U rrit taksa e ndikimit në infrastukturë, çfarë mori mbrapsht qytetari nga ajo?” tha Soko.

Sipas tij, në plan ishin të investoheshin 200 milionë dollarë, por për të paktën 150 milionë nuk dihet se si janë shpenzuar.

“Këtu kemi një masë të madhe paqartësie përsa i përket transparencës. Kemi pasur të programuar për t’u investuar në Tiranë 200 milionë dollarë.

Të shohim ku na kanë shkuar këto 200 milionë dollarë?

Është sheshi Skënderbej me 13 milionë dollarë, Pazari i Ri ishte investim i huaj.

150 milionë dollarë nuk e dimë ku kanë shkuar. Ku janë 150 milionë dollarë? A kanë shkuar në një vepër të madhe apo kanë humbur në vepra të vogla të paguar shtrenjtë,” tha ai.

Soko komentoi edhe ngushtimin e rrugëve në Tiranë, që po bëhet shkak për trafik.

“Rrugët që po ndërtohen sot janë bërë për një kapacitet shumë të vogël dhe po ngushtohen me një të tretën. Ato rrugë janë ndërtuar për 10 mijë makina, tani lëvizin mbi 200 mijë mjete. Përveçse nuk janë zgjeruar rrugët, janë kafshuar për biçikletat. Në ditët me shi, këto korsi dalin jashtë funksioni. Ngushtimi i rrugëve na sjell këto asfiksi gjatë ditëve me shi”.

Sa i përket lajmeve që Bashkia e Tiranës po planifikon vendosjen e një takse për ata që hyjnë në kryeqytet, Soko tha se “Veliaj e zhbëri këtë deklaratë, pasi ishte gafë e madhe”.

“Tirana ka qenë kryeqytet përpara se të bëhej Erion Veliaj kryebashkiak. Kryeqyteti këtë ka. Mbledh njerëzit. Në momentin që këto lekë shpenzohen në Tiranë, ne e kemi marrë benefitin,” tha ai.