AKTUALITET, 14 Maj 2021, 15:05

S’lëshonin kupon tatimor, nën hetim katër pronarë biznesesh, procedohen tre persona për “dru pa leje”

S’lëshonin kupon tatimor, nën hetim katër pronarë

Katër pronarë biznesesh në Korçë dhe Pogradec janë vënë nën hetim nga policia pasio akuzohen se nuk lëshonin kupon tatimor klientët e tyre. Ndërkohë nën hetim janë vënë edhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve i janë gjetur disa dru pa leje, ndërsa dy të tjerë që akuzohen se po transportonin dru pa dokumentacionin përkatës.

“Vijon puna për goditjen e informalitetit dhe krimeve mjedisore. Procedohen penalisht 7 shtetas, 4 prej të cilëve për “Fshehje të ardhurash” dhe 3 të tjerë për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Sekuestrohen 73 metër sterë dru zjarri pa leje.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, konkretisht specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për evidentimin, parandalimin e goditjen e informalitetit dhe krimeve mjedisore, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit. Nga strukturat e mësipërme, u referuan materialet hetimore pranë Prokurorive, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” për shtetasit A. M., 63 vjeç, A. Sh., 49 vjeç, E. M., 34 vjeç dhe D. B., 20 vjeç, banues në Korçë dhe Pogradec, pasi këta shtetas në bizneset e tyre (bar-kafe, fast-food, piceri) në qytetet e Korçës dhe Pogradecit, ushtronin aktivitetin tregtar, pa lëshuar kuponin tatimor.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. Xh., 34 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në këtë fshat, gjatë kontrollit të ushtruar në fushën e druve në pronësi të tij, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 69 m sterë dru zjarri, pa leje.

Si edhe shtetasit E. Sh., 56 vjeç, banues në fshatin Bishnicë, Pogradec dhe R. M., 52 vjeç., banues në fshatin Osnat, Pogradec, të cilët u kapën me mjetet e tyre duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme”, njofton policia.