AKTUALITET, 6 Tetor 2020, 15:11

Skemë kriminale me kartat e identitetit, PD padit drejtorin e spitalit të Peshkopisë dhe vëllanë e Ulsi Manjës

Skemë kriminale me kartat e identitetit, PD padit drejtorin e spitalit

Partia Demokratike ka denoncuar sot fakte të rënda të një skeme kriminale nga ana e mazhorancës për të mbledhur vota: grumbullimin e kartave të identitetit të stafit spitalor në Peshkopi dhe ka denoncuar emra të lidhur ngushtë me grabitjet e votave nga ana e qeverisë në zgjedhjet e mëparshme, si Ulsi Manjën.

PD njoftoi nëpërmjet një deklarate nga Enkelejd Alibeaj se, ka paditur në Prokurori, drejtorin e spitalit të Peshkopisë, Artan Bitrin dhe Hasan Manjën e Kujdesit Shëndetësor - vëllanë e deputetit Ulsi Manja - për shkeljen e ligjit duke theksuar se "përpjekjet e Edi Ramës kanë për të dështuar."

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

6 muaj përpara largimit me votë plebishitare, Edi Rama po bën çdo gjë për të deformuar vullnetin e shqiptarëve në zgjedhje. Është kapur sërish në flagrancë duke shkelur ligjin. Dhe sërish në Peshkopi, aty ku ndodhi “tërmeti” i vjedhjes së votave, që të gjithë e kanë parë përmes dosjes 189.

Emisioni investigativ “STOP” ka sjellë fakte të pakundërshtueshme se krimi elektoral është kryer në spitalin e Peshkopisë. Me urdhër të drejtorit Artan Bitri, stafit spitalor i janë mbledhur kartat e identitetit. Arsyen tani e ka marrë vesh i madh dhe i vogël: duan të pengojnë njerëzit të votojnë në zgjedhje ose të devijojnë votën e tyre.

Një pjesë nga investigimi i “Stop”-it tregon skemën kriminale të Partisë Socialiste në Peshkopi.