TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Ermal Mulosmani
Në katrahurën shqiptare të viteve ‘90-’91, një skandal financiar pati bërë bujë shumë. Një bankier francez i quajtur Nicola Arsidi, pati nënshkruar një kontratë me Bankën e Shqipërisë për të negociuar borxhin e jashtëm të vendit.
Borxhi i atëhershëm i Shqipërisë ndaj Bankave të huaja ishte ½ miliard dollarë (sa për kujtesë sot është mbi 10 miliardë dollarë ose 20-fish). Ishte kohë ndryshimesh, mendohej se aq para ishte ndonjë tmerr i madh.
Bankieri francez arriti të merrte besimin e Qeverisë së Ylli Bufit fillimisht e Vilson Ahmetit pas saj (të dyja qeveritë bashkë zgjatën 10 muaj) për të negociuar me Bankat e huaja për shlyerjen e atij borxhi. Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një kontratë. Sigurisht kishte terma konkrete në të, çfarë duhej të bënte Arsidi dhe si do të shpërblehej. Në bazë të saj zotit Arsidi iu paguan paradhënie 1,6 milionë Euro.
Në vitin ’93, pasi mori pushtetin PD-ja, Prokuroria Shqiptare e kohës e zbulon marrëveshjen dhe e quan skandaloze! I fut një të arrestuar ish Kryeministrit (Vilson Ahmeti), ish Guvernatorit të Bankës (Ilir Hoti) plus disa funksionarë të lartë të Bankës!
Duhej të merrte dëmshpërblim, i takonte në bazë të ligjit. Por jo. Në një intervistë të mëvonshme deklaroi: ”Çfarë faji kanë taksapaguesit për gabimet e pushtetit apo Drejtësisë”…
23 vjet më vonë një hata u zbulua në Bankën e Shqipërisë! Mbi 7 milionë Euro mungonin në Thesarin e Bankës. Një bankier bixhozxhi futej çdo ditë në thesar e tërhiqte “ngarkesa të lehta me Euro” për bastet e Barcelonës apo Interit. Çdo ditë nga pak, sipas rëndësisë së ndeshjes, nën vëzhgimin e rreptë të rojeve të sigurisë që e nderonin në dalje shefin qejfli bixhozi… Kur dikush u kujtua të numëronte paratë rezultuan disa kg Euro mangut….(rreth 7,3 milionë Euro)…
Fullani, Guvernatori i Bankës u arrestua. Gjithë shteti u paralizua. Ngjarje nuk shihej vjedhja skandaloze e parave por arrestimi i Fullos së madh. Duhej bërë bërë diçka, nuk mundet të lihej Fullo brenda, ai ishte guzhinieri, servili dhe gaztori i çdo pushtetari. Pas 10 ditësh e nxorën atë dhe futën një grua të pafajshme por pa mbështetje.
Mirëpo Fullo nuk ia falte kurrë ato 10 ditë burg pushtetit. Pasi doli nga burgu i hodhi në gjyq dhe i akuzoi për shkarkim të paligjshëm nga detyra. Se fajin kur vidhen paratë në Thesarin e Bankës e ka roja i Bankës jo Fullo. Gjykata ra dakort me Fullon, e shpërbleu me 56 rroga mujore, afërsisht 400 mijë Euro të tjera. Ose 40 mijë Euro për çdo ditë burg. Fullo nuk është Vilsoni të merret me koncepte të tilla idiote si: “nuk kanë faj taksapaguesit”…
Tani Fullo jep leksione për ecurinë e ekonomisë botërore dhe pasojat nga koronavirusi…
2 vjet burg Kryeministri i 91-shit, del i pafajshëm dhe nuk kërkon asnjë lek dëmshpërblim. 10 ditë burg Fullo, 7,3 milionë Euro mangut në Thesar, 400 mijë Euro shpërblim në llogaritë personale.
Me parametrat e Qeverisë së sotme, për 1,6 milionë dollarë nuk flet kush dy herë me ty. Tani për 7,3 milionë të vjedhur merr edhe 400 mijë Euro shpërblim se “të kemi ra në qafë pa të drejtë”.
Në vitin 2014, Erion Veliaj, Ministër i sapoemëruar i Qeverisë Rama dhe një skifter i tij, kërcënon me mesazhe një investitor italian, pronar i një Televizioni. Aso kohe, Veliaj, që po bënte dasmën e tij në bedenat e Kalasë së Gjirokastrës i drejtohej pronarit italian me një tekst mesazh “Mos u merr me dasmën time se unë të bëj…”.
Ky tekst ishte dhuratë prej Perëndie për Becchetin. Ai ishte i lindur për të fituar gjyqe, për të koleksionuar prova dhe rrjepur para!
Rezultati i atyre mesazheve të paraqitura si provë në Gjykatat Ndërkombëtare janë 107 milionë Euro gjobë për Shqipërinë!
“Janë paraqitur si prova në Gjyq”- deklaroi Arben Malaj, një ish eksponent i së majtës dhe ekspert ekonomie.
“E ç’janë fundja 107 milionë për një ekonomi si tonën”- do të thoshte avokat Ngjela. “Më pak se 40 Euro për frymë. Ose 160 Euro për familje. Një sforcim i vogël për fshatarët e Dukagjinit e Dragobisë, Llakatundit e Kurveleshit”.
Për 1,6 milionë Kryeministri i 91-shit bën 2 vjet e kusur burg. Për 7,3 milionë euro të vjedhura në Thesarin e Bankës Guvernatori përgjegjës dëmshpërblehet me 400 mijë Euro ndërsa për 107 milionë Euro Ministri i atëhershëm që shkaktoi gjëmën bëhet Kryetar Bashkie i Tiranës dhe aspiranti kryesor për Kryeministër.
Ky është evolucioni i shtetit shqiptar në 30 vjet.
Ndërkohë, SPAK-u ka çështje dite një qendër masazhi ku prej kohësh bëhet masazh erotik. Dy nga anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë infiltruar prej 6 muajsh në atë qendër si klientë për të kapur me presh në duar vajzat e reja punëtore. Operacioni quhet “Plakat qejflie”.
Priten dënime të rënda.
Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë…/Gazetaexpress/