AKTUALITET, 28 Gusht 2020, 13:37

“Do të mbroj kushtetutën”, Rama i përgjigjet Metës për kufirin detar: Presidenti të jetë i qetë, nuk është rasti për të bërë rafting

“Do të mbroj kushtetutën”, Rama i përgjigjet


Kryeministri Edi Rama duke komentuar sërisht sot debatin e lindur pas kërkesës së Greqisë për zgjerimin në det me Shqipërinë, i ka kthyer përgjigje presidentit të vendit, që teksa reagoi për këtë çështje, theksoi se do të mbrojë pa asnjë mëdyshje kushtetutën e Shqipërisë.

Sipas Ramës, Presidenti duhet të rrijë i qetë, e para se të flasë të informohet mirë.

“Presidentin e dimë nuk ka nevojë të na e përsërisë, këtë e dimë, ajo që nuk dimë është që në radhë të parë presidenti duhet të informohet mirë e në vend se të thotë për çfarë është, të bëjë atë që duhet të bëjë, e të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë, që buron nga konventa ndërkombëtare e mos të hedhë fjalë.

Se këtu për fat të mirë të Kushtetutës, Presidneti nuk ka lidhje fare, se nuk hyn Kushtetuta shqiptare në të drejtën e vendit fqinj.

Si kanionet e Skraparit, ka shkëmbinj nga dy anë e në mes rrjedhë ujore, konventa u ka dhënë të dy shkëmbinjve të marrin nga ajo rrjedhë ujore, të marrin milje në mënyrë të barabartë.

Presidenti të jetë shumë i qetë se nuk është rasti për të bërë rafting me kushtetutën dhe një çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mire”- tha Rama.