AKTUALITET, 15 October 2026, 21:16

“Situata nuk ndalet pa zgjidhje politike”, Klodiana Lala: Policia ka patur vonesë në reagim, a po zbaton një plan?

“Situata nuk ndalet pa zgjidhje politike”, Klodiana Lala: Policia ka

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus deklaroi se protesta e dhunshme është shprehje e dufit të qytetarëve, që qeveria nuk i ka dëgjuar. Ajo deklaroi  se në disa raste policia ka ndërhyrë vonë, duke toleruar plaçkitjet dhe vandalizmat, duke ngritur pikëpyetje se përse ka ndodhur kjo. 

“Gjithçka po ndodh është shprehje e dufit dhe zemërimit dhe faktit që qeveria nuk ka dëgjuar kërkesat e të rinjve, ka përqeshur dhe përbuzur, por edhe shantazhuar personat që kanë udhëhequr protestën e flamingove. 

Studentët njoftuarn se do të vinin para Ministrisë së Arsimit, duke pretenduar se ka korrupsion, mungon meritokracia, probleme me konviktet, etj, listë problematikash. 

Në momentet e para u grumbulluan përmes rrjeteve sociale. Ditën e parë kam raportuar gjatë mbrëmjes, situata ka qenë kaotike dhe vijon të përshkallëzohet. 

Policia ka patur një sjellje joproporcionale, ka qenë e dhunshme, kishte ndërhyrje fizike, përdorim të ujit me piper, gazit, momente ku protestuesit kanë qenë të rrëzuar dhe janë goditur. 

Çfarë ndodhi ishte e kundërta, kam parë që pjesa dërrmuese janë studentë, por patjetër që brenda studentëve ka patur edhe grupime që ndoshta për qëllime të caktuara mund të përdoren nga grupime politike ose të tjerë. Pjesa dërrmuese nuk janë për të shkatërruar institucionet dhe bizneset, por situata ka eskaluar. U është vënë flaka disa ministrive, kanë hyrë brenda, janë shkatërruar biznese private, banka të niveleve të dytë, janë djegur edhe dokumenta. Janë dëmtuar sinjalistika rrugore, thuajse e shkatërruar në të gjithë Tiranën. Janë hequr kangjella. 

Ka një problem. Dje policia, ka patur vonesë në reagim. A po zbaton një plan, nuk di të them. Por kur policia ishte 30 metra nga vendngjarja, dhe vetëm pasi dogjën një ministri apo shkatërrohej një bankë, vinte policia. Kanë tentuar ta konsiderojnë paaftësi, por më është dukur si plan, për ta lënë gjënë të rrjedhë. Në këtë moment ka një ndërhyrje brutale, po shoqërohen vajza dhe djem edhe nga civilë. 

Studentët kanë dalë për hallet dhe problemet e tyre, në Tiranë protestohet nga qershori në mënyrë të pandërprerë, por qeveria i ka injoruar.

Studentët dhe gjimnazistët po shprehin mllefin e grumbulluar gjatë gjithë kësaj periudhe. 

Nuk jam dakord që protestuesit të kalojnë në vandalizëm ndaj bizneseve private. Ama që qeveria duhet të ndërhyjë… Janë gjimnazistë, nuk e ke idenë se çfarë masakre është bërë sot në Tiranë. 

Situata nuk ndalet pa zgjidhje politike. Dorëheqje dhe mbaron këtu diskutimi”- tha Lala.