TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar shtyrjen me një javë të seancës plenare, për shkak të situatës së tensionuar dhe akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestave në vend.
Në reagimin e tij, Peleshi u ka bërë thirrje politikës dhe qytetarëve për përmbajtje, reflektim dhe dialog, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së rendit publik në këtë situatë të tensionuar.
Kryetari i Kuvendit ka shprehur gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të rinjve dhe të miturve në episodet e dhunës, duke kërkuar që ata të mbrohen nga urrejtja dhe përplasjet.
Deklarata e plotë:
Çmoj si detyrim shtetëror dhe kombëtar të ndaj me opinionin publik një sqarim për ditën e sotme, ditë seance plenare për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe një qëndrim për situatën që po kalon vendi.
Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve; në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë të rrezikshëm që po cenojnë rëndë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në vendin tonë dhe për të mos dhënë asnjë shkas për provokim, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot.
Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.
Studentët, nxënësit dhe fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë vend, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për ta bërë më të mirë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë.
Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë.
Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne.
Shqipëria ka pritur shumë.
Shqipëria ka punuar shumë.
Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë.
Asgjë nuk është e garantuar, sepse ky proces nuk është vetëm në duart tona dhe jo të gjithë janë miq e dashamirës. Kjo vlen aq më tepër në një kohë gjeopolitike plot tensione dhe lojëra influence, veçanërisht në rajonin tonë të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI.
Ndaj, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si qytetar dhe si student i Dhjetorit ‘90, bëj thirrje për përmbajtje dhe reflektim.
Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve.
Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare.
Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër.
Edhe një herë, t’i thërrasim arsyes. Të tregojmë se fatin e vendit tonë e mbajmë në duart tona, përkrah aleatëve tanë strategjikë, me idealin e shqiptarizmës së Rilindasve në zemër.
Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë.