AKTUALITET, 16 Nëntor 2020, 09:01

Situata e koronavirusit, epidemiologu Alimehmeti: Izolimi i plotë nuk është zgjidhja

Situata e koronavirusit, epidemiologu Alimehmeti: Izolimi i plotë nuk


Një javë pasi qeveria vendosi të fusë në karantinë të pjesshme vendin, ekspertët e shëndetit publik kanë nisur të japin opinionet e tyre mbi zgjidhjen që do të mbante një numër të kufizuar shtretërish në terapi intensive.

Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, izolimi i plotë nuk është zgjidhja. Ajo veçse do ta shtynte në kohë pandeminë, sipas tij.

As mbyllja e shkollave dhe universiteteve apo distancimi social i të gjithë popullatës. Trinomi i masave që këshillohen nga ai, bazuar në literaturën e huaj janë: izolim i rasteve, karantinë vullnetare në shtëpi për 14 ditë e familjarëve të rasteve pozitive dhe distancimi social i të moshuarve mbi 70 vjeç.

“Shtimi i masës së mbylljes së shkollave dhe universiteteve mbi masat e mësipërme e rrit numrin e vdekjeve. Distancimi social i të gjithë popullatës ul numrin e rasteve të reja, por rrit numrin e vdekjeve.

Modeli parashikon qartë valën e dytë, e cila fillon ngadalë por rritet nëse nuk implementohen ndërhyrjet sipas këshillave të mësipërme”, shkruan Alimehmeti, duke shtuar se ndërhyrjet e implementuara në mars dhanë rezultatin më të mirë të mundshëm në reduktimin e pikut të kërkesës për shtretër të terapisë intensive, por ishte gjithashtu e ditur se do të zgjatej koha e epidemisë, duke rezultuar në një numër më të madh vdekjesh nga COVID-19 në afat të gjatë, nëse nuk implementohet një program vaksinimi efektiv.

Duke marrë shembujt se si shtete të ndryshme i janë përgjigjur pandemisë, mjeku epidemiolog shton se Britania e Madhe është rasti tipik që nuk duhet ndjekur.

Sipas tij, Anglia me politikat e saj ka bërë që të reduktohet numri i rasteve totale me Covid-19, por jo numri i vdekjeve.

“Strategjitë që minimizojnë vdekjet ‘përfshijnë fokusimin mbi masat më të rrepta të distancimit social në shtëpitë e të moshuarve, ku njerëzit kanë më shumë gjasa të vdesin, se sa në shkolla ku nuk ka gjasa të këtilla”.

Duke përmbledhur literaturën e profesorëve botërorë që iu referohet, Alimehmeti nënvizon se në të gjitha skenarët epidemia mbaron pas infektimit dhe imunitetit të gjerë të popullatës dhe numri përfundimtar i vdekjeve varet kryesisht nga mosha e të infektuarve dhe jo nga numri total i rasteve.

Si rrjedhojë, ai sugjeron një strategji të ndryshme nga ajo që është përdorur për epideminë e gripit, me fokus të veçantë në mbrojtjen e personave të moshuar dhe vulnerabël. Me pak fjalë, Alimehmeti kërkon të mesmen e artë.

“Pra, mund të fitojmë kohë përmes izolimit të të moshuarve (kufiri i moshës vendoset sipas karakteristikave lokale) dhe mund të mbajmë gjallë jetën ekonomike dhe sociale përmes moskufizimit të pjesës tjetër të popullatës”.