AKTUALITET, 29 Korrik 2020, 23:14

Silva Bino: Reanimacioni është i mbushur plot, dy persona janë infektuar dy herë nga Covid

Silva Bino: Reanimacioni është i mbushur plot, dy persona janë


Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se në vendin tonë janë dy raste të konfirmuara që COVID-19 i ka prekur për herë të dytë.

Bino tha se të dy rasteve sëmundja i është rikthyer pas tre muajsh dhe infektimi ka qenë thuajse njësoj si më të parën dhe që të dy rastet nuk paraqiteshin në rastet e rënda.

Kjo tha Bino ndodh pasi dihet se koronavuriset nuk lënë një imunitet afatgjatë dhe për këtë prekja për herë të dytë nuk është një rast i rrallë dhe prandaj njerëzit duhet të mbrohen.

"Në Shqipëri kemi pasur dy raste që edhe pse ishin prekur janë infektuar sërish për herë të dytë. Ai që është prekur njëherë nuk është plotësisht imun. Koronaviruset lënë një imunitet afatshkurtër dhe jo të gjatë.  Infektimi i tyre i dytë ndodhi pas  3 muajsh u është rikthyer sërish koronavirusi. Të dy rastet thuajse ishin në të njëjtën gjendje si më parë dhe nuk ishin në format e rënda të sëmundjes", tha Bino në Report TV.

Për shtimin e numrit të rasteve të të infektuarve, Bino u shpreh se është shtuar numri i të shtruarve dhe të pacientëve me simptoma të rënda, ndërsa shërbimi i reanimacionit është thuajse plot. Ajo foli edhe për efektshmërinë e maskës prej cope, ku tha se ajo ka efekt dhe se duhet të përdoret.

"Kemi raste të rëndë në shërbimin e Reanimacionit ku pothuajse është i mbushur. Kemi dy spitale në funksion dhe kemi rritje të shtrimit dhe të rasteve të rënda. Jo efiçenca e maskës prej cope nuk është zero, është i rëndësishëm përdorimi i saj në publik. Kjo maskë të mbron', tha Bino.