AKTUALITET, 16 Mars 2020, 16:59

Si ndikon izolimi social shëndetin mendor dhe fizik

Si ndikon izolimi social shëndetin mendor dhe fizik

Nga Jeta Dedja

Nuk e kam parë vendimin e qeverisë shqiptare për të detyruar qytetarët të rrinë brenda mureve të shtëpisë, por duke e marrë të mirëqenë që ekziston një i tillë, (përndryshe vendimi nga Facebook-u do të ishte NUL), kam frikën se ky izolim ekstrem i njerëzve do të ndikojë negativisht në shëndetin mendor e fizik të tyre.

Sipas një studimi të universitetit McGill në Montreal, izolimi social për një periudhë të gjatë çon në depresion, ankth, rënie të aftësive kognitive, neuroticizëm, haluçinacione apo vetëvrasje. Ai afekton edhe arsyetimin, logjikën, gjumin, apo ngrënien.

Por jo vetëm kaq. Nisur nga studimet, izolimi nga ndërveprimet sociale mund të çojë në përkeqësim të shëndetit fizik gjithashtu, duke rritur mundësinë e vdekshmërisë me të paktën 50%. Për më tepër, izolimi social është i lidhur direkt edhe me çrregullimet kardiovaskulare, prekshmërinë ndaj infeksioneve si dhe mbireagimin e sistemit imunitar.

Kështu që ata që marrin vendime në emër të mbrojtjes së shëndetit publik, duhet të konsiderojnë që masat e marra mund të kthehen në boomerang. Vjen dita që COVID-it do t’i gjendet vaksina, por problemeve të shëndetit mendor si pasojë e izolimit nuk do t’ua gjejnë dot.

Është e lehtë të marrësh vendime të tilla kur jeton vetë në një shtëpi me sipërfaqe të madhe, me mundësira shëtitjeje, argëtimi dhe ajrimi brenda saj. Por është frustruese të vërtitesh në pak metra katrorë ku kuzhina është njëkohësisht dhomë ndenjeje dhe dhoma e gjumit një hap larg.

Prandaj, këto shtetrrethime duhen riparë dhe qeveria të luftojë me sëmundjen siç po bëjnë vendet e tjera, dhe jo deri në këtë pikë me lirinë e njerëzve. Një shëtitje në mbrëmje apo mëngjes herët mund të shpëtojë jetë më tepër sesa ndalimi i saj.

Unë e kuptoj se këto masa merren prej paaftësisë dhe frikës së një njeriu që bunkerizimin e ka gjetur si zgjidhje më herët për shumë probleme të tij personale e profesionale.

Por tashmë të gjithë janë të ndërgjegjësuar për rrezikun dhe askush nuk dëshiron të infektohet. Çdokush do tregojë kujdes për jetën e tij. Nuk është më si në javët e para kur u lajmërua virusi dhe njerëzit mendonin se ai ishte larg jetës së tyre. Dihet botërisht se njeriu ka dashuri për veten më shumë sesa një kryeministër ka për ta, edhe kur ky vazhdimisht u dërgon përqafime nga bunkeri i rehatit./Flasshqip.ca/