TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Byrotë e kreditit pritet të jenë subjektet më të reja që do t'u vijnë në ndihmë bankave gjatë procesit të kredidhënies. Çdo bankë dhe institucion tjetër financiar që jep kredi mund të kërkojë raporte kreditore nga Byrotë e kreditit. Raportet kreditore përmbajnë informacion mbi kredimarrësit, duke nisur me të dhënat e kartës së identitetit ose pasaportës, adresën e vendbanimit, statusin e punësimit, tërë historikun e kreditit, si për shembull numrin e kërkesave për kredi, marrëveshjet e mëparshme të kredisë me detaje mbi monedhën dhe vlerën fillestare të detyrimit, detyrimet e prapambetura dhe përfundimin e marrëveshjes.
Po ashtu, në raportet kreditore mund të përfshihet edhe një vlerësim me pikë (i quajtur ndryshe credit scoring) që vlerëson aftësinë paguese dhe nivelin e rrezikut të një huamarrësi. Mbi bazën e këtyre raporteve, një bankë mund të vendosë t'i japë ose jo kredi një klienti. Qytetarët kanë të drejtë të njihen me informacionin që byrotë e kreditit zotërojnë për ta, si dhe burimin ku janë marrë këto informacione.
Por nga ku merren ato?
Sipas projektligjit të publikuar për konsultim publik, bankat, institucionet e pagesave, institucionet e parasë elektronike, ofruesit e tjerë të shërbimit të pagesave, institucionet financiare jo-banka, shoqëritë e kursim-kreditit, unionet e shoqërive të kursim-kreditit, shoqëritë e sigurimit, Banka e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore (Taksat dhe Tarifat), personat juridikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit, ujësjellës-kanalizimeve dhe të komunikimeve elektronike dhe postare, si dhe persona të tjerë juridikë që furnizojnë mallra dhe shërbime që rezultojnë në detyrime për personat juridikë dhe personat fizikë, do të jenë burimet kryesore të informacionit.
Kush mund të themelojë një Byro krediti?
Bankat, institucionet financiare jo-banka, si dhe çdo person juridik, veprimtaria e të cilit lidhet ngushtësisht me mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e informacionit kreditor për persona fizikë dhe juridikë me qëllim vlerësimin e aftësisë së tyre kredituese. Pas regjistrimit si shoqëri aksionare, për të operuar si Byro krediti, shoqëria pajiset me licencë nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale, Byrotë e kreditit do të mbikëqyren vetëm nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.