AKTUALITET, 15 Janar 2021, 11:23

“Dua pesë milionë lekë për 80 vota”, shtyhet gjyqi për dosjen “184”

“Dua pesë milionë lekë për 80 vota”, shtyhet

Është shtyrë për më 29 janar seanca gjyqësore për dosjen “184” në Dibër.

Katër të pandehurit akuzohen për shit-blerje të votave gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2016. Në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-zyrtarë të lartë në Dibër.

Të pandehur në gjykatë kanë përfunduar 4 ish-zyrtarët; Robert Aga ish-shefi i komisariati në Dibër, Drini Gjeci ish drejtor i arsimit, Nuri Meda zyrtar në njësinë administrative Tomin dhe Hasan Hoti njësia administrative Lurë. Ata akuzohen për shpërdorim detyre kanosje të zgjedhësve.

Kujtojmë që lidhur me dosjen e bujshme që lidhet me krimet e dyshuara zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër ka pasur një “ping pong” mes Prokurorive. Dosja kaloi 5 herë nga Dibra te Krimet e Rënda SPAK në Tiranë. Zbulimi i përgjimeve të publikuara nga BILD ku implikoheshin disa politikanë dhe zyrtarë të lartë të mazhorancës trazoi politikën në Shqipëri.

Përveç rasteve kur numri i votave të blera komunikohet në telefonatat e përgjuara, në to shpesh përmenden emra fshatrash, familjesh e fisesh pa numër votuesish – çfarë sugjeron se numri i votave të blera është shumë më i madh se 500 dhe është një fenomen i përhapur që përfshin të gjithë palët politike.

Episodi me më shumë vota të blera njëherësh është regjistruar gjatë një telefonate të përgjuar mes Korab (Ymer) Lalës – një personazh me të kaluar kontroverse dhe baba i deputetes Reme Lala dhe vëllait të tij, Fatbardh Lala.

Prokuroria thotë se gjatë bisedës, Fatbardhi e njofton Korabin se do vijnë 80 vetë nga Tirana me mikrobuza dhe se i duheshin 5 milionë lekë (të vjetra) për këto vota. Paratë duhej t’ia niste me një mik të tyrin.

Përgjimet e Prokurorisë dëshmojnë edhe për rivalitetin mes palëve politike dhe pazarin që rritej për blerjen e votave.

Në një bisedë të përgjuar në ditën e zgjedhjeve ndërmjet ish-administratorit të Njësisë Administrative Lurë, Hasan Hoti dhe një gruaje të identifikuar me emrin Muçe, kjo e fundit lë të kuptohet se 200 mijë lekë për katër votat e familjes nuk mjaftonin.

“Unë bashkë me plakun do votoj për ty, ndërsa të tjerët (djali) e nusja janë për tjetrin,” citohet gruaja në përgjim.

Hoti pretendon se ajo po i dilte nga llafi, por Muçja i qëndron kërkesës së saj, ndërsa thotë se të tjerët “vallaj kan shpërnda nga 200 mijë lekë për votë” dhe se do ia kthente paratë pas.

Biseda nuk detajohet e gjitha, por duket se palët bien në ujdi për çmimin.

“Unë i dua të deklaruara votat pra,” i thotë Hoti gruas dhe Muçja i përgjigjet “4 vota i ke prej nesh”.