AKTUALITET, 19 Prill 2020, 12:35

Shtatë raste me Covid-19 në Krujë, zv.ministrja i 'bën bisht' përgjigjes: Mund të infektohesh kudo, jo vetëm në punë

Shtatë raste me Covid-19 në Krujë, zv.ministrja i 'bën


Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli në një lidhje live me ‘Report Tv’ ka folur lidhur me rastet e reja me koronavirus të zbuluara ditën e sotme në vend.

E pyetur nëse 7 rastet e Krujës, kishin lidhje me fasoneritë, Rakacolli tha se infektimi me koronavirus mund të ndodhte në çdo vend dhe jo vetëm në punë duke mos dhënë një përgjigje konkrete .

‘Në çdo lloj aktiviteti janë të gjithë të kontrolluar për mjete mbrojtëse. Koronavirusi të prek në çdo vend dhe jo vetëm në punë. Po bëhet hetim nëpër fasoneri, shtëpi e familje dhe në çdo vend që vlerësohet se mund të ketë nëj person me koronavirus,’-tha Rakacolli.

Gjithashtu ajo ka adresuar edhe akuzat e opozitës se rastet në Shkodër janë fshehur, duke u shprehur se të infektuarit ishin zbuluar vetëm nga hetimi epidemiologjik, pasi shumica e të infektuarve kanë qenë pa simptoma.

‘Në Shkodër nuk ka asnjë arsye të fshihet realiteti, përkundrazi. Rastet që janë gjetur në Shkodër janë gjetur nga hetimi epidemiologjik. Një pjesë e të infektuarve nuk kanë paraqitur asnjë shenjë. Nëse nuk do të kishte shkuar personi i shëndetësisë, ato raste nuk do ishin zbuluar. Këtu ka ndodhur e kundërta, jo akuza që po fshihen rastet, përkundrazi, kanë dalë rastet. Në Shkodër rastet nuk erdhën vet për t’u testuar, i zbuloi hetimi epidemiologjik’, shtoi ajo.