TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë, ka reaguar nga Italia, ku ka mbërritur për trajtim të specializuar mjekësor.
Përmes një mesazhi të publikuar pas mbërritjes në një spital në Romë, i riu ka bërë të ditur se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, duke shprehur shpresën se do të arrijë të shpëtojë shikimin.
“Sapo kam mbërritur në spitalin e Romës ‘Sancarlo’, ku do të futem për një nga operacionet e radhës! Zoti baftë mrekulli! SHQIPËRIA E SHQIPTARËVE”, shkruan Vishkulli.
Mesazhi i tij vjen një ditë pas plagosjes gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet, ku u godit në syrin e majtë nga një plumb gome.
Gjendja e të riut ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë, studentët dhe qytetarët kanë shprehur solidaritetin me të përmes pankartave, bluzave me mbishkrimin “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” dhe fashimit simbolik të syrit.
Ndërkohë, familjarët e 28-vjeçarit kanë sqaruar se dërgimi i tij në Itali është mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit e tyre, duke kundërshtuar pretendimet se transferimi ishte organizuar nga shteti.
Motra e Vishkullit u ka bërë thirrje mediave që të mos e përdorin rastin për propagandë politike, ndërsa ka shprehur shpresën që vëllai i saj të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
