TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së motrës së të riut nga Elbasani, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së një dite më parë në Tiranë dhe është dërguar në Itali për trajtim të specializuar.
Në një postim në rrjetet sociale, motra e të riut falënderoi “personat që morën iniciativën” për ndërhyrjen mjekësore në Itali, ndërsa u bëri thirrje portaleve që, sipas saj, të mos shpërndanin “lajme pa bazë” se kryeministri kishte urdhëruar mbulimin e shpenzimeve.
“E kanë çuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe jo shteti”, shkroi ajo.
Pas këtij reagimi, Rama deklaroi se vendimi për trajtimin e specializuar të të riut në Itali ishte marrë personalisht prej tij dhe se transporti me avion mjekësor, si edhe shpenzimet e trajtimit, janë mundësuar nga shteti.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë ‘persona’, po e kam marrë unë personalisht dhe vajtja e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër”, shkroi Rama.
Kryeministri shtoi se e kishte takuar të riun përpara nisjes drejt Italisë dhe i kishte uruar shërim të shpejtë në sallën VIP të aeroportit.
Rama hodhi poshtë pretendimin se ndërhyrja e tij kishte synim protagonizmin politik, duke thënë se vendimi ishte marrë për arsye humanitare.
“Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, shkroi ai.
I riu nga Elbasani u dëmtua në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Për rastin kanë nisur hetime edhe strukturat përkatëse, ndërsa një punonjës policie është pezulluar nga detyra pas publikimit të pamjeve ku dyshohet për tejkalim të përdorimit të forcës.
Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj. Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit. Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar🇦🇱❤️🦅 Të shkuara edhe njëherë🙏
— Edi Rama (@ediramaal) October 25, 2026