AKTUALITET, 26 August 2026, 12:11

Detaje/ “I dërgoi foto 45-vjeçares dhe e kërcënoi se do ta vriste”, dëshmi të reja për krimin në Greqi! Autori kishte tentuar të fliste edhe më vëllain e ish partneres

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga krimi i dyfishtë në Nea Smyrni në Athinë, ku  48-vjeçari Altin Allmuça vrau ish partneren e tij Julieta Obzova 45 vjeçe dhe më pas i dha fund jetës.

Sipas dëshmisë së një të afërmi të viktimës, 48-vjeçari dyshohet se i kishte dërguar gruas një fotografi ku shfaqej duke mbajtur një armë dhe duke ia drejtuar në kokë.

Sipas mediave në Greqi, përmes kësaj fotografie, ai dyshohet se e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe më pas do të vetëvritej.

Burri kishte tentuar gjithashtu të kontaktonte vëllain e ish-partneres. Ky i fundit kishte refuzuar takimin, duke i kërkuar të mos përfshihej më në marrëdhënien e tij me ish-partneren dhe të mos shqetësonte familjen e saj.

Paralajmërimet para ngjarjes

Të rëndësishme për hetimin konsiderohen edhe dëshmitë nga familjarët e 48-vjeçarit. Sipas tyre, ai kishte paralajmëruar vajzën dhe gruan se po përgatitej të bënte “diçka të madhe”, pa u treguar detaje konkrete.

Vajzës së tij i kishte thënë se mund të mos ishte më pranë saj në ditët në vijim. Ndërkohë, bashkëshortes i kishte dorëzuar të gjitha paratë që kishte me vete dhe i kishte kërkuar të kujdesej për fëmijën e tyre nëse ai nuk do të ishte i pranishëm.

Bashkëshortja u ka deklaruar hetuesve se nuk e kishte kuptuar arsyen e këtyre veprimeve. Ajo kishte parë bashkëshortin duke qarë dhe duke u larguar nga banesa. Ai e kishte kaluar natën diku tjetër, pa i treguar se ku ndodhej apo çfarë po bënte.

Sipas dëshmive, kjo kishte ndodhur vetëm disa orë para vrasjes.

Dëshmia e fqinjit

Në hetim është përfshirë edhe dëshmia e një fqinji, i cili dyshohet se ka qenë dëshmitar okular i ngjarjes. Ai u ka përshkruar autoriteteve pozicionin dhe mënyrën se si ishin gjetur trupat e dy personave në vendngjarje.

Tashmë pritet përfundimi i ekzaminimeve mjekoligjore, të cilat do të ndihmojnë në plotësimin e dosjes hetimore dhe në përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Me autorin e dyshuar tashmë të vdekur, procedura penale ndaj tij ndërpritet, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e tragjedisë dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 45-vjeçares.