BOTA, 22 August 2026, 22:22

Shkrirja e akullit në Grenlandë ndryshon ekosistemin/ Balenat gjigante zhvendosen drejt ujërave lindore

Akulli detar ka nisur të tërhiqet ndjeshëm nga brigjet e Grenlandës Lindore, duke u hapur rrugën disa prej balenave më të mëdha në botë drejt zonave që historikisht kanë qenë të paarritshme për to.

Ky është përfundimi i një studimi shumëvjeçar, gjatë të cilit studiuesit kanë regjistruar dhe filmuar qindra balena, përfshirë balenat gunga, balenat minke dhe balenat me pendë. Këto specie janë vërejtur duke u ushqyer gjatë muajve të verës në ujërat tashmë të çliruara nga akulli përgjatë bregdetit të Grenlandës Lindore.

Historikisht, këto balena nuk gjendeshin në këtë pjesë të Grenlandës, pasi akulli detar i pengonte të depërtonin në ujërat bregdetare. Por ngrohja e deteve dhe shkrirja e akullit po ndryshojnë habitatin, duke u krijuar mundësi të reja këtyre gjitarëve detarë.

Ndryshimi është veçanërisht i dukshëm te balenat gunga. Sondazhet detare nuk regjistruan asnjë prej tyre në këtë zonë deri në vitin 2006. Një vit më vonë u identifikuan shtatë, ndërsa deri në vitin 2024 numri i vëzhgimeve nga anijet kishte arritur në 150.

Studiuesit kryen gjithashtu sondazhet e para sistematike ajrore të balenave përgjatë bregut të Grenlandës Lindore gjatë verave të viteve 2015 dhe 2024. Të dhënat tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në shpërndarjen e këtyre kafshëve.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse rritja e vëzhgimeve nënkupton një shtim të popullatave të balenave apo nëse kafshët thjesht janë zhvendosur nga zona të tjera.

Ekspertë të intervistuar nga BBC kanë ngritur mundësinë që një pjesë e këtyre balenave të kenë ardhur nga Grenlanda Perëndimore. Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme për shkak se disa lloje balenash vazhdojnë të gjuhen në Grenlandë.

Pavarësisht pasigurive, studiuesit vlerësojnë se gjetjet tregojnë aftësinë e këtyre specieve për t'iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Balenat, të cilat janë oportuniste në zgjedhjen e habitateve dhe burimeve ushqimore, duket se po përfitojnë nga hapja e ujërave të reja.

Ndryshimi po prek edhe ekosistemin lokal. Narvalët dhe belugat, dy prej specieve karakteristike të Arktikut, tashmë ndajnë habitatet me këto balena të mëdha dhe në disa zona mund të përballen me ndryshime të mëtejshme në shpërndarjen e tyre.

Tërheqja e akullit detar po transformon kështu ekosistemin e Grenlandës Lindore, duke krijuar një situatë të pazakontë: ndryshimi klimatik po zhduk një barrierë natyrore dhe po lejon specie të mëdha detare të hyjnë në territore ku më parë nuk mund të depërtonin.