TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditën e sotme në orën 10:00 Presidenti Ilir Meta do të paraqitet para Komisionit Hetimor për çështjen e shkarkimit të tij.
Meta i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së bërë zyrtarisht nga ky komision për të marrë pjesë si dëshmitar para deputetëve, të cilët do të verifikojnë zbatimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit lidhur me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë të ngrihet një Komision Hetimor për shkarkimin e presidentit me arsyetimin se ka shkelur Kushtetutën.
Sot presidenti në këtë mbledhje do të jetë i shoqëruar nga tre këshilltarë. Nuk dihet ende qëndrimi i tij, nëse ai do të mjaftohet duke lexuar argumentet e dërguara në mënyrë shkresore Komisionit Hetimor përmes një dokumenti prej 25 faqesh, apo do të preferojë që këtë seancë ta zhvillojë përmes pyetje-përgjigjeve.
Po kështu nuk mund të përcaktohet edhe qëndrimi i Presidentit në raport me kryetarin e Komisionit Hetimor, Ulsi Manjën pasi për këtë të fundit Presidenca nuk është kursyer t’i përmendë përgjimet e “Bild” për zgjedhjet në Dibër.
Disa ditë më parë u mblodh Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. U miratua plani për hetimin e Metës. Nuk do të mungojnë dhe dëshmitë edhe ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët do të japin opinionin e tyre në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit.
Po kështu është përgatitur edhe një listë me personat që do të thirren për të dëshmuar para Komisionit, e cila ende është sekrete.
Presidenti Ilir Meta vendosi të anulonte zgjedhjet e 30 qershorit, me motivacionin se gara ishte farsë dhe rrezikonte përplasjen civile në vend. Kjo solli kundërshtinë e mazhorancës, dhe vendimin që kryesocialisti Edi Rama iu shpalli të tijëve se PS do të shkarkojë Metën për shkelje të rëndë kushtetuese.
Nga ana tjetër, KQZ rrëzoi Metën duke i hapur rrugë PS në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.