TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

FIFA ka hequr dorë zyrtarisht nga plani për t'ua shitur fondeve private të drejtat tregtare të Kupës së Botës, përmes krijimit të një kompanie të re që do të administronte aktivitetet komerciale të turneut.
Vendimi u bë publik përmes një deklarate zyrtare, ku thuhet:
“Pasi dëgjuam me kujdes të gjitha qëndrimet, u bë e qartë se ky projekt ka krijuar përçarje të tilla, saqë pavarësisht nivelit të mbështetjes, ai nuk i shërben më objektivit për të cilin u propozua. Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet gjithmonë të bashkojmë dhe të përmirësojmë. Për këtë arsye, kjo nismë nuk do të çojë më përpara.”
Projekti shkaktoi reagime të forta në botën e futbollit dhe solli një përplasje të hapur me UEFA-n, e cila ishte gati të bojkotonte nismën. Debati krijoi tensione edhe brenda vetë FIFA-s, duke çuar në dorëheqjen e këshilltarit të lartë Carlos Cordeiro, ndërsa drejtori operativ Kevin Lamour akuzoi presidentin Gianni Infantino me deklaratën: “Infantino na mashtroi.”
Në deklaratën e firmosur nga presidenti i FIFA-s thuhet se nisma “FIFA Forward Enterprise” ishte konceptuar për të krijuar një bazë më të fortë financiare për shoqatat anëtare dhe për të mbështetur zhvillimin e futbollit në mbarë botën, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë.
“Gjithashtu, siç kemi theksuar që në fillim, ky projekt do të realizohej vetëm nëse do të kishte mbështetjen e shumicës së federatave anëtare të FIFA-s dhe gjithmonë pas konsultimeve me to, me Këshillin e FIFA-s, konfederatat kontinentale dhe të gjitha palët e interesuara”, thuhet më tej në deklaratë.
Infantino premtoi se në ditët dhe javët në vijim do të punojë për të rikthyer unitetin brenda futbollit botëror.
“Nga ky moment e në vazhdim, objektivi im do të jetë të ribashkoj të gjitha palët e përfshira, në frymën e interesit të përbashkët për sportin tonë, me synimin për të vazhduar zhvillimin e futbollit në të gjithë botën, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë”, u shpreh presidenti i FIFA-s.
Sipas planit të propozuar nga Infantino, të gjitha 211 shoqatave anëtare të FIFA-s u ofroheshin 40 milionë dollarë secilës nëse mbështesnin projektin për investime private në turnetë e organizuara nga FIFA, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe atë për femra.
Megjithatë, 55 federatat evropiane, anëtare të UEFA-s, u shprehën unanimisht kundër këtij projekti.
Plani, i prezantuar menjëherë pas Kupës së Botës në Amerikën e Veriut, parashikonte nxjerrjen në shitje të 20% të aksioneve të aktiviteteve kryesore të FIFA-s, me synimin për të siguruar deri në 4.2 miliardë dollarë, shumë që më pas do të shpërndahej mes federatave anëtare në të gjithë botën.
Megjithatë, raportimet se pas investimit mund të fshiheshin familjarë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ngritën alarmin në botën e futbollit dhe shtuan kundërshtitë ndaj projektit, i cili përfundimisht u tërhoq.