TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas blerjes së pasqyrës nga kryebashkiaku i Vlorës, Tpz.al ka shkuar në qarkun e Fierit, pikërisht në Roskovec. Bashkia e këtij qyteti drejtohet nga socialistja Majlinda Bufi, e cilësuar edhe si “sheikja” e Roskovecit për shkak të pasurisë marrëmendëse që ajo ka.
Vetëm vitin e fundit, Majlinda Bufi deklaron prona dhe llogari bankare që shkojnë deri në 1 milionë euro. Megjithatë, zonja Bufi fut ende duart në arkat e shtetit për të bërë shpenzime të panevojshme. Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi që po bën Bashkia e Roskovecit. Objekti i tenderit është “njeriu model”, ndërsa ky aktiviteti do të kushtojë plot 8 milionë lekë. Tpz.al monitoroi edhe bashkitë e mëdha, të cilat nuk financonin një aktivitet të tillë, por kjo nuk e ka penguar Bufin e Roskovecit që të lëvrojë fondit.
Sipas dokumenteve, me fondin prej 8 milionë lekësh do të bëhet aktiviteti “shërbim, organizimi i aktivitetit të fundvitit 2017 ‘Njeriu model’”. Në këtë aktivitet do të ketë juri dhe çmime. Do të jetë çmimi për telereportazhin promovues, çmimi për intervistën më të mirë promovuese, çmimi për lajmin më të mirë promovues. Do të ketë orkestër, një darkë me 300 pjata, pagesë për reklamë etj.
Ndërkohë, pas garës mediatike, do të shpallen 10 tituj moral në fusha të ndryshme. Titujt moralë do të jepen për fushat “fermeri më i mirë", "sipërmarresi më i mirë", "infermieri më i mirë", "mësuesi më i mirë", "punonjësi më i mirë i bashkisë", "blegtori më i mirë", "nxënësi më i mirë", "kryetari më i mirë i fshatit", "shkolla më e mirë" dhe "sportisti më i mirë".
Në dokumente thuhet se gara mediatike ka në fokus Roskovecin dhe konsiston në promovimin e vlerave artistike, kulturore, agro-turizmi si dhe në ngritjen e problematikes reale që ka sot jeta sociale, shoqërore, ekonomike, mjedisore dhe gjithçka tjetër.
Megjithëse, kjo bashki ka të tjera prioritete, pasi dhjetëra shtëpi janë shkatërruar nga tërmetet e kompanive naftënxjerrëse, zonja Bufi do të shpërndajë në këtë aktivitet medalje për njerëzit model në këtë bashki.
Pasuria e Bufit të Roskovecit
Majlinda Bufi ka qënë në qendër të fokusit mediatik, jo për investimet në qytetin e Roskovecit, por për pasurinë përrallore që ajo disponon. Vetëm në vitin e fundit, duke iu referuar deklaratës së pasurive të dorëzuar pranë ILDKP, zonja Bufi, së bashku më bashkëshortin, deklaron blerjen e tetë apartamenteve të reja.
Ata kanë blerë pesë apartamente banimi në lagjen Apollonia në Fier me sipërfaqe 125.5 m2, 41.05 m2, 18.57 m2, 19.10 m2 dhe 21.28 m2, me vlerën totale 130 000 euro. Kanë blerë gjithashtu tre apartamente banimi në lagjen Apollonia në Fier me sipërfaqe 20.19 m2, 19.10 m2 dhe 21.07 m2, me vlerë totale 4 500 000 lekë. Deklarojnë edhe një shtesë në ndërtim në objektin godinë ekonomike 3 kate + 1 kat nëntokë me sipërfaqe ndërtimi 574.2 m2 në Roskovec.
Për vitin 2016, bashkëshorti i zonjës Bufi, deklaron 366 253 euro si kthim të shumës së paguar për blerjen e një lokali në lagjen “29 Nëntori”, Fier me sipërfaqes 311.3 m2, nga të cilat është mbajtur 2 000 euro komision si penalitet për revokim kontratës së shitjes. Në vite të mëparshme, çifti deklaron ndërtim lokali, apartamente, dyqane, ofiçinë, biznese etj.
Me këtë pasuri, kryebashkiakja e Roskovecit, do të bënte mirë që të shpenzonte një pjesë të vogël të saj, për të kënaqur elektoratin me aktivetete “Njeriu Model”./TPZ.AL/E.H/
