TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Filluan hetimet për rrëzimin e një helikopteri ushtarak italian të tipit ”Chinook”, në Bosnjë-Hercegovinë, që shkaktoi vdekjen e katër personave dhe plagosjen e 11 të tjerëve.
Në bordin e helikopterit ndodheshin 15 persona, pjesë e misionit ndërkombëtar EUFOR Althea. Mes viktimave janë dy ushtarakë të ushtrisë italiane dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq. Sipas dëshmitarëve, helikopteri po fluturonte në lartësi të ulët, kur papritur nisi të rrotullohej në ajër dhe u rrëzua në një zonë rurale pranë fshatit Gorica.
Fatmirësisht, zona ishte e pabanuar dhe nuk pati viktima civile. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Ndër hipotezat paraprake është edhe mundësia e përplasjes me kabllo të tensionit të lartë. Autoritetet italiane dhe EUFOR kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe forcat ushtarake. Ndërkohë, Ministria italiane e Mbrojtjes ka dërguar një ekip mjekësor për të garantuar trajtimin e të plagosurve.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga krerët më të lartë të shtetit italian, përfshirë presidentin Sergio Mattarella dhe kryeministren Giorgia Meloni, të cilët shprehën solidaritet me familjet e viktimave dhe të plagosurit.
Rrëzimi i helikopterit italian në Bosnje, shkak dyshohet një defekt teknik, një nga helikat mund të jetë bllokuar
Një defekt teknik dyshohet se qëndron pas rrëzimit të helikopterit ushtarak italian të misionit evropian EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë, ku humbën jetën katër persona dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur (foto X). Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me bllokimin e njërit prej dy rotorëve ose me ndryshimin e drejtimit të rrotullimit të tij. Rotori është sistemi i helikave rrotulluese që krijon forcën e nevojshme për ngritjen dhe qëndrimin e helikopterit në ajër.
Te helikopteri Chinook i cili u rrëzua në Bosnjë, ka dy rotorë kryesorë, një në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme të helikopterit.
Sipas ekspertëve të aviacionit që kanë analizuar pamjet e aksidentit, helikopteri CH-47F Chinook duket se ka pësuar një anomali gjatë fluturimit, duke hyrë në një rrotullim të pakontrolluar përpara se të përplasej me tokën. Mjeti fluturues ishte ngritur vetëm rreth 10 metra nga toka, menjëherë pas nisjes nga aeroporti i Brçkos, kur filloi të rrotullohej dhe më pas u shkatërrua nga përplasja.
Kushtet atmosferike në momentin e aksidentit nuk paraqisnin probleme të veçanta. Moti ishte i vranët, por dukshmëria nuk ishte e kufizuar, ndërsa era frynte me shpejtësi rreth 5 kilometra në orë. Për këtë arsye, kushtet meteorologjike nuk konsiderohen si shkak i mundshëm i ngjarjes.
Sipas raportimit të Corriere della Sera, në Ministrinë italiane të Mbrojtjes dyshimet e para janë për një defekt teknik. Megjithatë, autoritetet theksojnë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë dhe se hetimi mund të kërkojë ditë, javë apo edhe muaj.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes do të analizohen mbetjet e helikopterit dhe do të merren dëshmitë e 11 personave që i mbijetuan aksidentit. Mes tyre janë edhe pilotët, të cilët arritën të shpëtonin, një rezultat që zyrtarë të qeverisë italiane e kanë cilësuar si pothuajse një mrekulli.
Nga 15 personat që ndodheshin në bord, katër humbën jetën: dy pjesëtarë të Ushtrisë Italiane, rreshterët Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe dy vullnetarë të Kryqit të Kuq, Franco Adriano Zecchillo dhe Laura Procacci. Të 11 të plagosurit morën ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve italiane, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Helikopteri Chinook ishte angazhuar në një fluturim rutinë në kuadër të misionit evropian EUFOR Althea, i cili ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit vijojnë.

