AKTUALITET, 18 August 2026, 16:01

Sezoni turistik rëndon trafikun në Fier, mjetet inteligjente monitorojnë shkelësit! Aksi Levan-Tepelenë, më shqetësuesi për aksidentet

Piku i sezonit turistik ka sjellë fluks të shtuar mjetesh në gjithë qarkun e Fierit. Sipas shefit të sektorit të Policisë Rrugore Fier, Rustem Plaka, akset më problematike mbeten Patos-Fier, Fier-Levan, Levan-Tepelenë dhe të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt bregdetit si Fier-Seman, Fier-Darëzezë dhe Lushnje-Divjakë.

Plaka ka pohuar gjithashtu se përballë trafikut të rënduar janë marrë masa shtesë menaxhimin e situatës në të gjitha këto akse rrugore. “Janë marrë masa me mjete inteligjente për konstatimin e të gjitha shkeljeve që prekin sigurinë rrugore, me shpejtësimatës, radarë”, thotë Plaka. Masat e shtuara do të vijojnë deri në përfundimin e sezonit turistik.

Për aksin Levan-Tepelenë, është kërkuar që ARRSH të shtojë sinjalistikën rrugore. Shefi i policisë rrugore thotë se masat s’mund të frenojnë plotësisht aksidentet, shkak i të cilave kryesisht është humbja e kontrollit të automjetit. Plaka u bën apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sidomos pas ndryshimeve të Kodit Rrrugor të cilat sjellin ndëshkime më të forta për shkelësit.