TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së turistit portugez 20-vjeçar në Ksamil, duke e cilësuar sezonin turistik të këtij viti si një “verë të zezë të Shqipërisë”.
Në deklaratën e saj, PD shpreh ngushëllimet për familjen e viktimës dhe akuzon qeverinë dhe Policinë e Shtetit për dështim në parandalimin e krimit dhe garantimin e sigurisë publike. Sipas demokratëve, gjatë muajve të sezonit turistik vendi është përballur me një sërë ngjarjesh të rënda, përfshirë vrasje, zjarre, shpërthime me tritol dhe raste të pasigurisë.
“Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë, e cila siç ka treguar kaq e kaq herë, e ka mendjen te videot plot me suksese imagjinare, dhe jo te policimi në komunitet, jo te puna e parë e saj: parandalimi”, thuhet në reagim.
Ndërkohe PD premton se në rast të ardhjes në pushtet, do të miratojë një “Paketë Anti-Krim” brenda 100 ditëve të para, me synim rikthimin e sigurisë publike dhe ndërprerjen, sipas saj, të lidhjeve mes strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale.
Deklaratë e Partisë Demokratike
Sezoni turistik i sivjetshëm u kthye në ‘verë të zeze të Shqipërisë”, me tre muaj ku spikati terrori i dhjetëra vrasjeve, zjarret anekënd vendit, shpërthimet me tritol, pasiguria. Më e fundit në këtë stinë të përgjakur, është vrasja e një djaloshi 20 vjeçar portugez, i ardhur me pushime në Ksamil.
Ai do t’i kthehet familjes dhe vendit të vet në arkëmort. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe bashkohet me dhimbjen dhe lutjet e tyre. Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë, e cila siç ka treguar kaq e kaq herë, e ka mendjen te videot plot me suksese imagjinare, dhe jo te policimi në komunitet, jo te puna e parë e saj: parandalimi.
Policia e Shtetit është kthyer në një agjensi që ndjek ‘autorët e ikur në drejtim të paditur’, jo një forcë të parandalimit të krimit, garantimit të sigurisë, forcimit të rendit publik. Sipas shprehjes popullore c’të mbjellësh, do të korrësh, kështu do vijojë të jetë sa kohë në drejtim emërohen patronazhistët e partisë, në partneritet me bandat, duke e kthyer edhe vetë policinë në bandë me uniformë.
Partia Demokratike zotohet se, me ardhjen në qeveri një Paketë Anti-Krim do të instalohet në 100 ditët e para, duke i dhënë fund partneritetit të strukturave shtetërore me narko-mafian. Rikthimi i sigurisë publike, siç është dëshmuar në Qeverinë Berisha 2005-2009 është prioriteti ynë kryesor; jo një premtim politik, por një detyrë patriotike për t’u kryer. Vrasja e 20 vjeçarit është ditë zie për turizmin shqiptar dhe shenja se, jo publiciteti, por serioziteti është puna e një shteti.