SPORT, 2 Shkurt 2020, 12:17

Setien ishte zgjedhja e pestë, Barçën e refuzoi edhe Alegri

Setien ishte zgjedhja e pestë, Barçën e refuzoi edhe Alegri


Barcelona shkarkoi Ernesto Valverden me idenë se mund të merrnin çdo trajner të papunë në treg. Gjithsesi, fillimisht ata kërkuan të merrnin dike, që e njeh shumë mirë filozofinë e Barçës dhe u përqendruan te Ronald Kuman dhe Ksavi, që në fakt nuk ishin të papunë, por u mendua se ata mund të linin eksperiencat aktuale për të marrë në drejtim një ekip si Barça.

Nuk ndodhi kështu, pasi të dy refuzuan të merrnin ekipin në mes të sezonit. Bartomeu kaloi te emri i Mauricio Poçetino, por edhe argjentinasi refuzoi. Më pas, siç bën me dije spanjollja “AS”, zbulohet se katalanasit i kanë ofruar stolin Masimiliano Alegrit. Italiani është pushim prej muajsh, por me sa duket i pëlqen aq shumë kjo situatë, sa ka arritur të refuzojë të stërvisë Leo Mesin..

Raportohet se presidenti Bartomeu ka dërguar një propozim drejt ish-juventinit. Alegri nuk është menduar shumë dhe ka refuzuar me argumentin se do të qëndrojë edhe këtë sezon pushim për të marrë në verë drejtimin e një skuadre të madhe në Europë. Kështu, mund të themi se Setien ishte alternativa e pestë në listën e drejtuesve katalanas. Një zgjedhje e detyruar dhe emergjente, që në fakt akoma nuk po i jep frytet e saj.