AKTUALITET, 6 Janar 2019, 09:06

“Serbia po përgatit shkaktimin e trazirave në Kosovë”

Sipas burimeve të RTK, organet shtetërore të Serbisë kanë përgatitur shkaktimin e incidenteve në Kosovë.

Nëpërmjet organeve të saj, Beogradi ka përgatitur incidente në mesin e komunitetit serb, me qëllim fajësimin e shqiptarëve dhe destabilizim të rajonit. Sipas burimeve të RTK, e gjithë kjo vjen pas alarmit në Serbi për shkak të votimit në Kuvend për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Shërbimet sekrete serbe, sipas RTK, kanë shtuar përpjekjet për shkaktimin e incidenteve në Kosovë, pas formimit të ushtrisë së Kosovës. Këtë e vërteton edhe fakti i komunikimit të një zyrtari serb të strukturave të sigurisë me familjen e tij, ku iu ka thënë që të mos dalin në vende ku ka shumë njerëz sepse së shpejti mund të ndodh një rast i ngjashëm si ai i ‘Panda’ para disa vjetëve, ku u vranë disa të rinj serbë.

Sipas burimeve të televizionit publik, ky plan i Serbisë për destabilizimin e rajonit është dekonspiruar nga organet e sigurisë në Kosovë.

Kujtojme se Serbia ka reaguar e acaruar pas formimit të ushtrisë së Kosovës. Deklaratat shkuan aq larg se kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, madje tha se Serbia mund ta bëjë gati ushtrinë për ndërhyrje në Kosovë .