AKTUALITET, 25 Shtator 2018, 09:09

Seanca për Shullazin, blindohen Krimet e Rënda

Seanca për Shullazin, blindohen Krimet e Rënda

Ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të zhvillohet seanca për të dëgjuar akuzat për Emiljano Shullazin. Ajo që vihet re është numri i madh i policëve të armatosur rëndë për të siguruar një situatë normale.

Pak ditë më para dosja e Shullazit futi në ngërç prokurorinë e Krimeve të Rënda, kur prokuroret refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakucit me pretendimin se është sëmurë.

Momentalisht, i vetmi prokuror i çështjes është Besim Hajdarmataj, i cili ka kryer katër muajt e parë veprime hetimore për “Shullazin”, por që kundërshtohet nga pala mbrojtëse.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, vendos të shtojë numrin e prokurorëve në dosjen “Shullazi”, duke përdorur shortin. Pikërisht ky vendim i saj ka sjellë edhe përplasjen me prokurorët e tjerë.

Pas kësaj situate reagoi kryeprokurorja, Arta Marku, e cila urdhëroi transferimin e përkohshëm në rrethe të tre prej prokurorëve të cilët refuzuan hedhjen e shortit, per Olsian Çela, Sonila Muhametaj dhe Besim Hajdarmataj që do të transferohet në Prokurorinë e Pogradecit.

Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar hetim disiplinor. TPZ.AL